Ministri i Brendshëm: "Tolerancë zero" për emigracionin klandestin
Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, anëtar i qeverisë populiste dhe antiemigracion të Lega Nord-it premtoi dje "tolerancë zero" në luftën kundër emigracionit klandestin, sipas agjencisë ANSA. "Toleranca zero është qëllimi ynë kryesor dhe ju siguroj se do t‘ia arrijmë qëllimit", tha ai përpara dhjetëra mijëra simpatizantëve të Lega Nord të mbledhur për takimin e tyre të përvitshëm tradicional në Pontida, në veri të vendit. "Na akuzojnë se jemi kthyer në një vend racist dhe ksenofob. Janë gënjeshtra të atyre që nuk e pranojnë faktin se me ne (të djathtën) në qeveri, muzika ka ndryshuar në fushën e imigracionit", shtoi Maroni. Qeveria e djathtë e Silvio Berluskonit vendosi para dhjetë ditësh një grup masash kundër emigracionit klandestin, duke krijuar krimin e emigracionit klandestin, duke bërë të mundura dëbime më të lehta, si edhe duke zgjatur kohën e qëndrimit në qendrat pritëse nga 2-18 muaj. "E majta italiane na ka çarë kokën. Nëse ne bëjmë diçka, nuk është e mirë, ndërsa po ta bëjnë të tjerët është në rregull", tha ministri duke u shprehur se krimi i emigracionit klandestin ekziston në Francë që prej 15 vjetësh, ekziston në Britaninë e Madhe e madje edhe në Gjermani ku u fut nga socialistët e Shrëderit". Takimi i përvitshëm i Pontidas me militantët përbën rastin që drejtues të Legës, tashmë pak të prirur ndaj politikës korrekte, të bëjnë një lumë premtimesh politike, duke përdorur një fjalor që nuk do të pranohej gjetkë.