Zvicër, referendum për rregullat e shtetësisë
Zgjedhësit në Zvicër kanë refuzuar një përpjekje për ta bërë më të vështirë marrjen e shtetësisë nga qytetarët e huaj. Në një referendum, ata votuan me 64 për qind kundër një përpjekjeje për të rikthyer në fuqi praktikën e miratimit të shtetësisë së aplikantëve nëpërmjet votës së fshehtë dhe heqjes së të drejtës së apelit. Vota e fshehtë ishte nxjerrë jashtë ligjit pesë vjet më parë nga Gjykata Supreme, që gjykoi se një procedurë e tillë ishte diskriminuese. Zvicra ka numrin më të madh të banorëve që kanë lindur jashtë vendit krahasuar me vendet e tjera të Evropës, më shumë se 20 për qind. Shumë zviceranë thanë se moslejimi i zgjedhësve që të thonë fjalën e fundit në lidhje me shtetësinë e kandidatëve dhunon sistemin e demokracisë direkte të vendit. Gjithsesi, kundërshtarët e referendumit të zhvilluar dje, që u thirr nga Partia e Popullit, një parti nacionaliste kjo, dyshojnë se preteksti kryesor i thirrjes së kësaj vote popullore nuk ishte demokracia direkte në Zvicër, por përpjekja për të siguruar një mënyrë efikase për të mbajtur jashtë Zvicrës grupe të caktuara të huajsh. Sipas të dhënave paraprake, rezultati i votimit tregonte se masat që vështirësojnë akoma më shumë procedurat e dhënies së shtetësisë, janë rrëzuar me shumicë dërrmuese ndërsa janë miratuar vetëm në një prej 26 kantoneve të Zvicrës. Ligjet zvicerane për natyralizimin apo dhënien e shtetësisë, janë aktualisht të rrepta. Kandidatët për marrjen e shtetësisë duhet të jetojnë në këtë vend për të paktën 12 vjet dhe më pas duhet të kalojnë në testet e gjuhës dhe kulturës zvicerane. Edhe ata persona që kanë lindur në Zvicër, nuk kanë të drejtën automatike të shtetësisë. Pengesa e fundit është miratimi nga një komunitet lokal në një mbledhje të asamblesë lokale. Gjykata Supreme kishte nxjerrë jashtë ligjit votën e fshehtë pesë vite më parë, pasi u bë e qartë se disa qytete, në vazhdimësi refuzonin kandidatët nga Ballkani, Turqia dhe Afrika, ndërsa miratonin shtetësinë për ata që vinin nga Evropa Perëndimore. Gjykata Supreme vendosi gjithashtu që personat të cilëve u refuzohet nga asambletë lokale e drejta e shtetësisë, mund të apelojnë në një instancë më të lartë. Partia zvicerane e Popullit, më e madhja në Parlament, do të donte tani të rikthente në fuqi votat e fshehta, si edhe anulimin e të drejtës së apelimit. Vetëm në një komunitet të veçantë, tetë shtetasve italianë iu dha shtetësia, ndërsa 48 aplikantëve evropiano-lindorë dhe turq iu refuzua kërkesa. Gjithsesi, pjesa më e madhe e zviceranëve, nuk ishin të predispozuar të ktheheshin prapa në kohë. Kohët e fundit në fakt, Zvicra po u jep pasaporta gjithnjë e më shumë të huajve. Në vitin 1992, sipas statistikave, janë dhënë 10 mijë pasaporta për të huajt, ndërsa vitin e shkuar, 45 mijë persona u bënë shtetas zviceranë. Një prezencë në rritje kjo që nuk e kënaq aspak të djathtën populiste që shpeshherë hedh në skenë argumente që gjykohen edhe ksenofobisë. E duke qëndruar sërish te statistikat, një e pesta e 7.5 milionë banorëve përbëhet nga të huajt.