E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtohet Mjeda në 75-vjetorin e vdekjes

Në 75-vjetorin e vdekjes së poetit dhe klerikut Ndre Mjeda, një seri aktivitetesh zhvillohen nesër në Kukël-Bushat të Shkodrës. Qendra e Studimeve Albanologjike dhe qendra muzeore “Ndre Mjeda”, bashkë me përurimin e kësaj të fundit, do të zhvillojë një konferencë shkencore, ku do të risillen edhe një herë vlera e Mjedës si poet, gjuhëtar, atdhetar e klerik. Pas fjalës së hapjes nga drejtori i QSA, prof. dr. Ardian Marashi, studiues nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria do të mbajnë kumtesat e rastit. Kështu prof. dr. Zeqirja Neziri nga Universiteti i Shkupit do të kumtojë “Malli romantik i Mjedës”, prof. as. dr. Mark Marku do të kumtojë “Esencializmi në poezinë e Mjedës”, prof. as.dr. Begzad Baliu nga Universiteti i Prishtinës: “Rilindja e Mjedës, kërkime në kolonën përgatitur nga Mentor Quku”, akademiku Gjovalin Shkurtaj do të sjellë “Përbashkësia e gjuhës si dëshmi e njësisë së kombit shqiptar në veprat e Mjedës”, prof. dr. Klara Kodra “Veçoritë gjinore të veprës se Mjedës”, dr. Tonin Çobani, “Poema Lissus, rilexim”, prof. dr. Shefkije Islamaj, IA Prishtinë: “Mjeda – mjeshtër i gjuhës”, dr. Dom Nikë Ukgjini nga Instituti Filozofik Teologjik i Shkodrës: “Nga ardhja e Dom Ndre Mjedës në Kukël tek Qendra Muzeologjike” etj. Më tej do të vijohet me programin festiv në qendrën muzeore “Ndre Mjeda”, e cila pas shumë vitesh më në fund i kthehet destinacionit të saj fillestar, atij fetar. Pas shumë përpjekjesh më në fund ambientet ku Mjeda punoi dhe kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij, i janë nënshtruar rikonstruksionit, duke u kthyer në një qendër jo vetëm fetare, por dhe muzeore. Do të ketë edhe një panair libri, veshjesh popullore dhe prodhimesh të zonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›