Durrës, prefekti: Jo fakte që cenojnë sezonin turistik

Shëtitorja Taulantia në Durrës
Debate në mbledhjen e Task-Force. Akuza edhe për lejet mjedisore.
Problemet me të cilat përballet sezoni veror në Durrës kanë përplasur ashpër me njëra-tjetrën strukturat që bëjnë pjesë në Task-Forcën e ngritur për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Strukturat e angazhuara akuzojnë njëra-tjetrën për moszbatim dhe mungesë efikasiteti, duke vështirësuar kështu punën e njëra-tjetrës. Konkretisht, drejtori i Policisë së Qarkut Durrës, Aleks Hajdari, ka akuzuar përfaqësuesit e mjedisit se japin leje mjedisore në kundërshtim flagrant me ligjin në fuqi për lejimin e muzikës në zonat bregdetare, ndërsa ka pohuar se në të gjithë bregdetin vetëm një prej subjekteve plotëson kriteret për muzikë gjatë orëve të mbrëmjes. Kryekomisari tha dje se këto veprime joligjore vështirësojnë zbatimin e punës së uniformave blu, për subjektet që nuk zbatojnë oraret e muzikës në zonat turistike. Ndërsa përfaqësuesit e mjedisit janë shprehur se nuk kanë aparaturat e nevojshme për të matur nivelin e ndotjes së zhurmës dhe kanë kërkuar nga Drejtoria e Shëndetit Publik që t’i pajisë menjëherë me aparaturën e sonometrit.
Gjatë mbledhjes së mbajtur dje, prefekti Genci Alizoti nuk e ka lejuar drejtorin e Higjienës, Shpëtim Leka, të tregojë vendet ku janë pikat më të ndotura në bregdet. Përfaqësuesi i Shëndetit Publik ishte duke i bërë një pasqyrim të detajuar të të gjithë vijës bregdetare dhe, sapo ka nisur të përmendë zonat ku niveli i ndotjes është tej normave të lejuara, është ndërprerë nga prefekti Alizoti. Përfaqësuesi i Shëndetit Publik nuk është lejuar të tregojë për nivelin e lartë të ndotjes në zonën e shëtitores “Taulantia” e cila, sipas tij i kalon të gjitha limitet e ndotjes. Prefekti ka reaguar ashpër edhe ndaj medias, së cilës i ka kërkuar të mos pasqyrojë faktet që mund të dëmtojnë imazhin e turizmit. Duke marrë shkas nga një lajm i publikuar disa ditë më parë në një prej mediave, Alizoti është shprehur me tone të larta se nuk është gjë e mirë që publikohen problematika të tilla në periudhën e sezonit turistik veror. Nga të dhënat e Shëndetit Publik mësohet se zona pranë shëtitores “Taulantia” është më problematikja. Nga 24 gradë që cilësohet shkalla normale e ndotjes, në të arrin rreth 2400. Kjo është zona ku ende derdhen ujërat e zeza, ndonëse frekuentohet nga shumë pushues në të gjitha stinët e vitit.
Gjoba për ndotjen akustike
Sa i përket ndotjes akustike në zonat bregdetare, kryeinspektori i mjedisit në qarkun e Durrësit deklaroi dje se janë marrë masa dhe janë vendosur gjoba deri në mbylljen e disa aktiviteteve që shkaktojnë ndotje akustike. Aktualisht po respektohet orari nga ora 19:00 deri në orën 00:00 gjatë fundjavës.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ