Violinisti Olen Çezari, muzikë falas në sheshet e Shqipërisë

Violinisti Olen Çezari
Hera e parë që një artist i këtij niveli zhvillon një tur të tillë.
Pas koncertit në Tiranë do të udhëtojë drejt Durrësit, Vlorës, Sarandës e Shkodrës.
“Kisha kohë që e prisja momentin që të luaja për njerëzit e thjeshtë, për të gjithë ata që nuk duhet të mendojnë për çmimin e biletës”. Kështu u shpreh dje gjatë konferencës për shtyp violinisti shqiptar me famë botërore, Olen Çezari. Nga Tirana e nxehtë dhe e etur për aktivitete kulturore, violinisti nisi mbrëmë një tur koncertesh në disa nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, me mbështetjen e Bashkimit Europian, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkisë së Tiranës. Çezari nuk preferoi skena të mëdha si ajo e Pallatit të Kongreseve apo e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por e ngriti skenën bash në qendër të ish-Bllokut, e cila çdo mbrëmje gëlon nga të rinjtë që kalojnë aty disa orë, në mungesë të çdo aktiviteti tjetër të shëndetshëm, kulturor apo sportiv. Por dje ata kishin një motiv më shumë për të mbushur rrugën kryesore të ish-Bllokut. Të ndjekësh një koncert live dhe falas të Olen Çezarit është një rast që nuk të jepet gjithmonë.
Një evropian i vërtetë
Përpara se të pushtonte skenën, violinisti Olen Çezari doli në një konferencë për shtyp në ambientet e Qendrës së Informimit të Bashkimit Europian, e cila ndodhet pikërisht shumë pranë vendit ku u mbajt mbrëmë koncerti. Në prezantimin e kësaj ngjarjeje kulturore, Çezari shoqërohej nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Ky i fundit e quajti këtë tur të violinistit një rast të shkëlqyer, jo vetëm për të shijuar muzikë të mirë, por edhe harmonie e gëzimi. Sequi prezantoi programin që Çezari do të interpretojë në koncertet e tij, çka përfshin këngë të krijuara në vende të ndryshme të botës, duke sjellë kështu copëza nga kultura të ndryshme. Kjo sipas tij e bën Olen Çezarin një qytetar të gjithë Europës. “Me talentin e tij Oleni i ka kaluar të gjithë kufijtë dhe është kthyer në një europian të vërtetë”, u shpreh Sequi, duke ftuar njerëzit të marrin pjesë në koncertet që violinisti do të zhvillojë në disa qytete të mëdha në Shqipëri. Me violinën e tij Çezari sjell tinguj nga e gjithë bota, që nga kalinka ruse, te dervishët e Turqisë, tek sambat braziliane, deri te burimet e Përmetit.
Në sheshe, për të gjithë
Ndërsa është ngjitur vazhdimisht në skenat prestigjioze shqiptare, Olen Çezari ka zgjedhur kësaj here sheshet e hapura, për të vendosur komunikimin me publikun shqiptar. Pas koncertit të mbrëmshëm, ku i shoqëruar nga banda e tij Çezari solli ritme nga e gjithë bota, ai do të udhëtojë drejt Durrësit, Vlorës, Sarandës e Shkodrës, qytete këto që popullohen më shumë gjatë stinës së verës nga pushuesit dhe turistët shqiptarë e të huaj. Ndërsa pranon se është më i zoti në violinë sesa të flasë për gazetarët, artisti shprehu kënaqësinë e të qenët sërish në Shqipëri. “Jam shumë i lumtur që m’u dha rasti të zhvilloj këtë tur nëpër sheshet e Shqipërisë, çka e prisja prej vitesh. Kërkova që ta zhvilloja këtë tur nëpër sheshe, sepse aty njerëzit e thjeshtë kanë mundësi të jetojnë spektaklin e ta shijojnë pa menduar sa kushton bileta në Teatrin e Operës apo diku tjetër. Ndaj e kam me kënaqësi të bëj këtë gjë me ndihmën e Bashkimit Europian, të Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës. Jam i lumtur që me muzikën time të bëj një xhiro nëpër vendet e botës dhe t’u jap njerëzve një vizion të lirisë, dhe të heqjes së kufijve. Një lëvizje që muzika e mundëson, pasi ajo fluturon dhe mbledh njerëz pa dallim besimi fetar apo përkatësie politike. Përpara muzikës të gjithë janë njësoj”, tha Çezari, duke shpresuar që të kënaqë sadopak publikun shqiptar. I njohur më shumë në skenat italiane, Çezari vitet e fundit ka filluar të jetë më i pranishëm në skenat shqiptare, megjithatë një ftesë për një koncert mirëfilli në Tiranë nuk i kishte ardhur, ndërsa nuk i numëroheshin ftesat nga e gjithë bota. Ëndërronte një koncert jashtë kornizave. “Do të doja të dilja nga ajo rutina e Pallatit të Kongreseve apo edhe e Teatrit të Operës dhe Baletit. Natyrisht jam i mendimit se muzika i përket të gjithë popullit dhe jo vetëm elitës”, do të shprehej në një intervistë dy vjet më parë violinisti, çka duket se po e realizon vetëm tani.
I lindur me violinë në dorë
I konsideruar si “Paganini i ri” apo “virtuozi i violinës”, Olen Çezari ka lindur në Durrës. I biri i një koncertmaestreje, Çezari do ta merrte në duar violinën qysh në moshën 3-vjeçare, për të dalë në skenë për herë të parë në moshën 5-vjeçare, ndërsa koncertin e parë e ka dhënë vetëm dy vjet më vonë. E jashtëzakonshme, por Oleni i mbaroi të gjitha etapat e studimit në Shqipëri, që në moshën 13-vjeçare, dhe u shpall “Instrumentisti më i mirë shqiptar”. Një gjeniu si Olen Çezari Shqipëria ende nën sistemin komunist nuk i kurseu një bursë studimi në Itali. Fillimet ishin të vështira. Me violinën duhej të siguronte jetesën. Nis konservatorin “Santa Cecilia” në Romë, ku u diplomua në moshën 17-vjeçare, duke u bërë i diplomuari më i ri në violinë në historinë e konservatorit roman. Pas Romës vijon studimet në Austri e më tej në ShBA. Pasi ka fituar një kulturë të gjerë edhe në zhanre të tjera muzikore si blues, rock, country, hip-hop etj., kthehet në Romë, ku nis bashkëpunimin me artistë si Sergio Cammariere, Lucio Dalla, Max Gazè, Alex Britti, Carmen Consoli etj. Në muajin nëntor Oleni nxori albumin e tij të parë “Unexpected”, ku përfshihen 13 pjesë nga 13 vende të botës. Nga Shqipëria ka zgjedhur “A kanë ujë ato burime” të kënduar nga Elsa Lila. Pjesët e përfshira në këtë album do të interpretohen në turin që ai nisi dje në Tiranë.
ALMA MILE