Kukan: PD dhe PS të punojnë për miratimin e ligjeve
TIRANË: Gatishmëria e shprehur nga të dy forcat politike PS-PD, për të bashkëpunuar për reformat, është përforcuar dje edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Parlamenti Evropian i ka kërkuar dje politikës shqiptare që të bashkojë votat për të miratuar ligjet që nevojiten për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Apeli është drejtuar nga kryetari i delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan. Në mesazhin drejtuar ligjvënësve shqiptarë, Kukan thekson se, “ata duhet të demonstrojnë gatishmërinë për të bashkuar përpjekjet për miratimin e legjislacionit të nevojshëm për integrimin e ardhshëm evropian”. Në një deklarim për mediat, Kukan përshendeti gjithashtu vendimin e opozitës për të rifilluar aktivitetin parlamentar. “Ky është një hap pozitiv drejt normalizimit të dialogut në vend. Të gjitha partitë duhet të punojnë në mënyrë efikase për reformën zgjedhore dhe të garantojnë një kornizë të qartë për procese zgjedhore në të ardhmen”, - tha ndër të tjera Kukan. Dy ditë më parë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu gatishmërinë e opozitës për të bashkëpunuar me qëllim, realizimin e një reforme të plotë zgjedhore, që do të eliminonte, sipas tij, të gjitha parregullsitë e evidentuara në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës dhe ato lokale. Edhe kryeministri Berisha u shpreh “pro”, bashkëpunimit me opozitën për një reformë të gjithanshme zgjedhore, ku sipas tij, duhet të merrnin pjesë edhe përfaqësues nga OSBE/ODIHR-it, Komisioni i Venecias dhe ekspertë shqiptarë.