E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat e Berishës me ShBA për gazsjellësin

Kryeministri ka pranuar të sjellë në Shqipëri të burgosur shtesë nga Guantanamo si dhe ka kërkuar mbështetjen e ShBA-së për gazsjellësin që nis në Azerbajxhan dhe përfundon në Itali

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar ndihmën e SHBA-së për futur Shqipërinë në hartën e gazsjellësit që nis në Azerbajxhan dhe përfundon në Itali. Në një kabllogram të sekretares së shtetit, Hilary Cliton, zbardhet takimi i Berishës me sekretarin për çështjet e europiane, Stuart Jones, më 6 shkurt të vitit 2009 në Washington, ku Kryeministri jep ‘fjalën” për pranimin e të burgosurve të tjerë nga Guantanamo, me kushtin që të mos jenë ujgurë. Në këtë takim, Berisha ka pohuar se qeveria shqiptare do të mbështesë misionin e ShBA-së në Afganistan, si dhe ishte pro pranimit të disa të burgosurve të tjerë. Nga ana e tij, sekretari Jones i ka shprehur Berishës shqetësimin për ligjin e lustracionit, në kohën që pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ai i ka thënë Berishës se Shtetet e Bashkuara presin ta shohin Shqipërinë një vend plotësisht demokratik të sundimit të ligjit. Kabllogrami që mban datën 13 shkurt 2009 thotë se Berisha premtoi se nuk do të ndërhynte në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e lustracionit, si dhe po punonte bashkë me opozitën për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Berisha tha se Shqipëria mund të pranojë një numër modest të burgosurish shtesë të Guantanamos dhe pyeti nëse Shtetet e Bashkuara mund të mbështesnin projektin e gazsjellësit që kalon nga Shqipëria”,- thuhet në kabllogram. Duke vënë në dukje përpjekjet e Rusisë për të dominuar në tregun e energjisë në Ballkan, Berisha kërkoi mbështetjen e ShBA-ve për tubacionin e ri të gazit që do të lidhë Azerbajxhanin me Italinë. “Sekretari Jones i kërkoi Berishës dhe Qeverisë Shqiptare t’i dërgojë Departamentit të Shtetit detaje shtesë për propozimin mbi gazsjellësin”,-mbyllet kabllogrami i firmosur nga Clinton.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›