Kukan: Politikanët të sillen në përputhje me interesat e vendit

Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Jug-Lindore, Eduard Kukan i ka bërë thirrje palëve në Shqipëri, të sillen me përgjegjësi të plotë dhe në përputhje me interesat e vendit. Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Kukan sugjeron asistencën e Komisionit të Venecias ndaj Kolegjit Zgjedhor në marrjen e vendimeve profesionale e të pandikuara nga politika.
I pyetur për profesionalitetin e Kolegjit Zgjedhor, nëse do të jetë i pavarur, Kukan u përgjigj:
“Ekspertë ligjorë dhe ekspertë të Kolegjit Zgjedhor duhet të marrin vendime të mbështetura në ligj dhe nëse ata kanë paqartësira, mund tu drejtohen institucioneve ndërkombëtare, ndofta Komisionit të Venecias, që ka profesionistë të vërtetë. Ne po i bëjmë thirrje këtij Kolegji të ndjekë procedura profesionale, transparente dhe të marrë vendime të pavarura nga politika. Baronesha Ashton dhe Komisioneri Fuele dolën me një deklaratë të përbashkët në filim të kësaj jave, ku u kërkuan partive vetëpërmbajtje, pasi procesi zgjedhor nuk ka përfunduar dhe Kolegji Zgjedhor pritet të marrë vendimet e tij. Mendoj që institucionet ndërkombëtare mund të ndihmojnë në garantimin e marrjes së vendimeve nga Kolegji Zgjedhor, vendime që duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe të pavarura”.
Ndërkaq, në lidhje me situatën politike në Shqipëri e konkretisht gjatë 8 majit, Kukan shtoi se përgjithësisht shkoi mire, por dhe me disa parregullsi.
“Përshtypja e delegacionit të Parlamentit Europian për ditën e zgjedhjeve, 8 majin, ishte që ajo shkoi në përgjithësi mirë, qetë, pati disa parregullsi, por jo të ndonjë rëndësie dramatike. Zhvillimet, që pasuan ditën e zgjedhjeve, krijuan probleme vetëm në Tiranë, pasi si në pjesë të tjera të vendit këto probleme nuk u shfaqën. Ato u krijuan, kur KQZ mori vendimin që të përfshinte në numërimin e votave edhe ato fletë votimi të hedhura gabimisht jo në kutinë e votimit për kryetarin e Bashkisë, po në kuti të tjera. Opozita e kundërshtoi këtë vendim të KQZ, duke organizuar protesta dhe demostrata. Vendimi i KQZ preku integritetin e procesit zgjedhor. Shkurt, situata aktuale në Shqipëri është e ngjashme me atë të pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Them kështu pasi në thelbin e kësaj situate, të krijuar pas ditës së votimeve, qëndron përsëri mungesa e vullnetit politik, apo paaftësia e drejtuesve politikë, për t`u përfshirë në një dialog të vërtetë, për të gjetur zgjidhje konsensuale të situatës, për të kapërcyer diferencat në qëndrime dhe arritur kompromisin, marreveshjen që mund të sigurojë funksionimin e institucioneve demokratike. Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende, por zhvillimet post- elektorale tregojnë se ka mosmarröveshje të thella mes partive politike, të cilat shkaktojnë tensione të larta politike dhe çojnë në kërcënimin nga ana e opozitës për të bojkotuar përsëri aktivitetet e parlamentit, gjë që nuk është normale në një shoqëri demokratike, e cila duhet të mbajë gjallë dialogun e vërtetë politik dhe t` i zgjidhë problemet përmes tij”.
Një ndër pyetjet në të cilën u parashtrua, kishte të bënte dhe me dëshirat , që kjo situatë të mos ndodhë më. E në lidhje me kete, Kukan deklaroi:
“Politikanët nuk mund të shprehin shpresa. Shpresa është një nocion shumë abstrakt. Pres që politikanët e Tiranës të sillen në mënyrë të përgjgjeshme dhe në interes të vendit”.