PD: Do të pranojmë çfarëdo rezultati për Tiranën

Partia Demokratike ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë për pranimin e rezultatit cilido qoftë ai.
Në një konferencë për shtyp zëdhënësja Albana Mustafaraj deklaroi se Partia Demokratike i qëndroi premtimit të saj se do të kërkonte rivlerësimin e votave të kontestuara pa marrë parasysh se cili do të ishte rezultati aktual për zgjedhjet në Tiranë dhe ndikimi i rivlerësimit të këtyre votave në rezultatin përfundimtar.
“PD ka marrë këtë vendim, në mënyrë që së pari të garantohet vlerësimi më i drejtë i çdo vote e çdo zëri të qytetarëve shqiptar, si dhe për faktin se sistemi ynë zgjedhor ka kontestin si procesin kryesor të garancisë për transparencë të votës”, deklaroi Mustafaraj.
Ajo theksoi se, gjatë gjithë procesit zgjedhor Partia Demokratike ka bërë thirrje për një proces të drejtë, transparent dhe të saktë, ku çdo votë të numërohet dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet.
Sipas saj, ende ekziston një numër i vogël votash të kontestuara duke theksuar se shqyrtimi i tyre nuk ka gjasa të ndryshojë shumë rezultatin e zgjedhjeve në njërin apo tjetrin drejtim, por tha ajo, zëri i të gjithë qytetarëve duhet të dëgjohet pasi procesi duhet të ketë një standard të njehsuar.
Mustafaraj deklaroi se, Partia Demokratike ka vendosur të përjashtojë nga kërkesa për rivlerësimin e votave në dy kuti votimi, në të cilin kandidati Rama ka fituar me më shumë se 200 vota, por që të gjitha fletët e votimit në këto kuti ishin hedhur së bashku me kundrafletët, duke mbajtur si kriter themelor të vlefshmërisë së votës, shprehjen e qartë të vullnetit të zgjedhësit.
“Partia Demokratike, vlerësoi se për këtë rast, të mbysësh zërin e mbi 1000 qytetarëve për shkak se zyrtarët e zgjedhjeve nuk kanë hequr kundrafletën është e papranueshme pavarësisht nga avantazhi zgjedhor që kjo kërkesë do të mund të sillte” theksoi Mustafaraj duke shtuar se çështjet teknike nuk duhet të pengojnë respektimin e vullnetit të votuesit dhe shprehjen e tij në rezultatin përfundimtar, duke theksuar se, zëri i të gjithë qytetarëve duhet të dëgjohet.