E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Arrestimi i Ratko Mlladiç, lajm i gëzuar

Presidenti i vendit Bamir Topi përshëndet arrestimin e kriminelit serb të luftës Ratko Mlladiç. Duke e konsideruar si një lajm të gëzuar, Topi këtë deklaratë e ka dhënë në ceremoninë e hapjes së Takimit të 17-të të Presidentëve të Shteteve të Evropës Qendrore, në Kështjellën Mbretërore “Zamek Krolevski”, në Varshavë.

Duke iu referuar lajmit për arrestimin e kriminelit serb të luftës Ratko Mlladiç, Presidenti i Republikës u shpreh: “padyshim është një lajm i gëzuar dhe risjell edhe një herë në vëmendje që demokracia është shumë e rëndësishme dhe demokracia në çdo lloj rrethane triumfon”.

“Ky moment duhet shfrytëzuar për të rilançuar edhe njëherë të gjithë atë vizion të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të rritur dialogun politik për t`iu drejtuar vizionit të integrimit me një forcë, e cila duhet të sinkronizohet nga i gjithë lidershipi politik i Ballkanit për të mos humbur kohë me diskutime që i takojnë një të kaluare të egër, kryesisht ajo që lidhet me betejat dhe luftërat ndëretnike në Ballkan, për të gjetur urat e bashkëpunimit dhe besoj që shembuj konkretë, ne sot kemi me shumicë”, theksoi presidenti Topi.

“Nuk ka pikë dyshimi që sot Ballkani Perëndimor ka një fizionomi tjetër. Pak vite më parë problematika e Ballkanit ishte tjetër; raporti midis vendeve ballkanike ishte gati i ftohtë, ndërsa sot diskutohet kryesisht për probleme të perspektivës dhe më pak për ato të retrospektivës. Unë dëshiroj të vë në dukje se sot më shumë se kurrë lind nevoja që vizioni i lidershipit politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të orientohet pa asnjë lloj paragjykimi drejt perspektivës evropiane dhe euroatlantike”, vlerësoi kryetari i shtetit.

Gjithashtu në fjalën e tij, Topi vuri në dukje se Shqipëria ka mundësinë sot të demonstrojë elementë pozitivë të arritjeve të veta dhe se pavarësisht debateve politike që ekzistojnë në vend, siç ekzistojnë në çdo vend tjetër demokratik, vizioni i të gjithë politikës shqiptare në unison nuk është në asnjë moment kontestues ndaj politikave madhore të integrimit. “Kjo është arsyeja që rritja e demokracisë së brendshme, forcimi i shtetit të së drejtës, ndërtimi i politikave ekonomike, të cilat çdo ditë vijnë e konsolidohen, bëjnë të mundur që ne të jemi optimistë që marrja e statusit kandidat për Shqipërinë, do të jetë një moment kohor i afërt”, theksoi kryetari i shtetit.

Në vijim, Presidenti Topi shprehu qëndrimin e shtetit shqiptar në mbështetje të axhendës prioritare të Polonisë si kryesuese e radhës së BE-së.

“Siç presim dhe kemi besim se gjatë mandatit të saj dhe më tej, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të ndjekin politikën e afrimit dhe të dyerve të hapura për plotësimin e familjes evropiane me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh presidenti i Republikës në përfundim të fjalës së tij në Takimin e 17-të të Presidentëve të Evropës Qendrore.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›