Kukan: Rama është një lider karizmatik. Tani është koha të provojë se si do punojë si kryeministër
Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan, shprehet se kryeministri i ri, Edi Rama, mund të jetë mbresëlënës në negociata.
Sipas ti, standardet e zgjedhjeve janë plotësuar, ndërsa për sa i përket KQZ-së të cunguar, ai shprehet se: Kjo është diçka negative, e cila është përfshirë në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë, sikurse edhe fakti që fatkeqësisht fondet publike u përdorën nga partitë politike. Kjo nuk duhet të ndodhte. Këto ndodhën që para zgjedhjeve, por falë Zotit procesi ishte i qetë dhe tani i kemi të gjitha shpresat se Shqipëria do ecë më tej drejt integrimit evropian.
Kukan pohon se dorëheqja e Berishës ishte një hap logjik dhe i arsyeshëm dhe se e tillë duhet të jetë kultura politike.
Europarlamentari thotë se lideri socialist ka qenë gjithnjë tepër kritik rreth kësaj qeverie, ndërsa tani ka mundësi të tregojë se si do të punojë si kryeministër.
E njoh z. Rama, jemi takuar shumë herë. Është shumë karizmatik dhe mund të jetë mbresëlënës në negociata. Ka qenë gjithnjë tepër kritik rreth kësaj qeverie, përherë ka qenë i pakënaqur për punën e saj. Tani ka mundësi të tregojë se si ai do punojë si kryeministër. Unë thjesht shpresoj që ai të realizojë ato çka premtoi: klimë politike të re e pozitive. Është i aftë, por vetëm realiteti do ta vërë në prove, nënvizon ai për Shekullin.
Ndërsa për Metën shprehet se edhe Meta është gjithashtu një politikan i ri e shumë dinamik. Personalisht mendoj se është shumë i zoti në menaxhimin e partisë së tij. Besoj se ai do ta përdorë pozitën e tij për ta çuar përpara zhvillimin evropian të Shqipërisë.
Për sa i përket Berishës Kukan, thekson se ai është një politikan me përvojë të madhe, ishte kryeministër për tetë vjet, një kohë e gjatë. Është dinamik e me eksperiencë, sikurse duhet të jenë politikanët, por zgjedhjet treguan që njerëzit nuk kishin më besim tek ai. Mund të ishte sjellë ndryshe, mund të kishte krijuar probleme pas humbjes, por nuk e bëri. Dha dorëheqje, çka ishte një lëvizje politike e mirë nga ana e tij. Partitë akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, por askush nuk dënohet… Kjo është gjë e keqe, sepse rastet e korrupsionit duhet të hetohen objektivisht dhe drejt, dhe kushdoqoftë duhet të përballet me ligjin në mënyrë të barabartë.