E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukan: Shqipëria ka përmbushur kriteret teknike, është gati për liberalizimin e vizave

Më nisje të vizitës së tij në Bruksel, Kryeministri Berisha ishte relator në konferencën e organizuar në Parlamentin Evropian, posaçërisht për nder të tij, nga Fondacioni Robert Schuman dhe Presidenti i këtij fondacioni, zoti Jean-Domenique Giuliani. Në konferencën me temë “Shqipëria drejt Bashkimit Europian, një rrugë mbi meritën” merrte pjesë edhe zoti Joseph Daul, President i grupit parlamentar të Partisë Popullore Evropiane dhe zoti Eduart Kukan, kryetar i Delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian. Në nisje të Konferencës, Presidenti i Fondacionit, zoti Giuliani falënderoi Kryeministrin Berisha që pranoi të merrte pjesë në këtë panel të rëndësishëm, për t’u bërë me dije eurodeputetëve të pranishëm në konferencë vizionin tij dhe të qeverisë shqiptare për integrimin e Shqipëri në Bashkimin Evropian dhe për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në këtë drejtim. Në konferencë foli edhe kryetari i Delegacionit për Evropën Juglindore në PE, zoti Eduart Kukan, i cili në hapje të fjalës së tij shprehu mbështetjen e fuqishme ndaj ambicieve evropiane të Shqipërisë. “Integrimi i Shqipërisë në BE është i rëndësishëm për Shqipërinë, siç është i rëndësishëm edhe për BE-në. Delegacioni, të cilin unë kryesoj, do të qëndrojë përherë më mënyrë realiste dhe do të ndihmojë gjithmonë me shumë realizëm miqtë tanë shqiptarë, në rrugën e tyre drejt BE-së. Ne kemi pasur vetë mundësinë, në vizitën tonë në Shqipëri, për të parë nga afër progresin e jashtëzakonshëm që vendi ka bërë në këto vite. Pra, zoti Kryeministër, devotshmëria dhe puna juaj e palodhur ka funksionuar dhe ne të gjithë e çmojmë këtë dhe e shohim nga afër progresin e Shqipërisë. Ju e dini më mirë se unë, se ka ende shumë gjëra të tjera për të përmbushur, por unë mendoj se jeni në drejtimin e duhur dhe ju jeni duke ndërmarrë politikat e duhura”, u shpreh zoti Kukan. Përsa i përket procesit për liberalizimin e vizave, zoti Kukan theksoi se Shqipëria ka përmbushur kriteret teknike dhe është gati për liberalizimin e vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›