Berisha: Si në NATO, procesi i anëtarësimit në BE, duhet bazuar tërësisht në meritën
Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën me temë “Shqipëria drejt Bashkimit Evropian, një rrugë mbi meritën”, Kryeministri Berisha falënderoi Fondacionin Schuman dhe Presidentin e tij për organizimin e kësaj konference, të cilët, prej shumë e shumë vitesh, janë miq të Shqipërisë. “20 vjet më parë, shqiptarët, të cilët po dilnin nga dimri i diktaturës më të egër që Evropa ka njohur ndonjëherë, mbushën sheshet dhe rrugët e kryeqytetit e të mbarë vendit me thirrjen: “ E duam Shqipërinë si Evropa!” Sot, kjo ëndërr mbështetet nga mbi 95% e shqiptarëve, të cilët panë hapin e parë të madh drejt realizimit të saj në vitin 2006, kur Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian”, u shpreh kreu i ekzekutivit shqiptar. Kryeministri tha më tej se qeveria që ai drejton e ka konsideruar dhe e konsideron procesin e integrimit të Shqipërisë në BE si një proces që bazohet kryekëput në performancën, në meritën. “Njëlloj si procesin e anëtarësimit në NATO, unë kam bindjen më të thellë se edhe procesi i anëtarësimit në BE, duhet bazuar tërësisht në meritën, performancën, imlementimin e një universi të tërë të reformave të thella politike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore, të gjithanshme”, vijoi më tej kreu i qeverisë.