Kukan: Tranzicioni i qetë i pushtetit politik forcon proceset demokratike
Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, që ka qenë në krye të vëzhguesve të Parlamentit europian për zgjedhjet e 23 qershorit, ka falenderuar votuesit shqiptarë.
Do të doja të përgëzoja qytetarët e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare të së dielës. E vizitova Shqipërinë, së bashku me deputetët e tjerë, për të vlerësuar situatën politike gjatë procesit zgjedhor. Ne u takuam me liderët e partive kryesore politike dhe patëm diskutime pozitive mbi rëndësinë që kanë zgjedhjet për demokratizimin dhe perspektivën europiane të Shqipërisë. Mirëpres faktin që rezultati u njoh nga të dyja palët dhe liderët politikë komunikuan me mirësjellje me njëri-tjetrin, shprehet Kukan me anë të një deklarate.
Besoj fuqimisht që tranzicioni i qetë i pushtetit politik do të forcojë proceset demokratike në vend, diçka thelbësore për procesin e integrimit të vendit. Do të doja të shfrytëzoja këtë mundësi për të përgëzuar zotin Edi Rama për fitoren e tij. Do të doja të falenderoja kryeministrin Sali Berisha për përpjekjet dhe sukseset e tij në zhvillimin e Shqipërisë dhe për mënyrën demokratike dhe europiane me të cilën njohu rezultatin e zgjedhjeve, ka përfunduar Kukan./b.l