E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu: Votuesit u nisën nga interesat momentale, ne kemi bërë atë që se ka imagjinuar askush

sheuDeputeti demokrat, Sherefedin Shehu, thotë se vota kundër PD-së nuk ka qenë kundër arrogancës dhe dështimit të qeverisë, por thjesht një votë e nisur nga interesat momentale, duke lënë të kuptohet se ajo është blerë, sidomos nga LSI.

Ai shprehet se njerëzit nuk kishin motiv që të votonin kundër PD-së, pasi kjo parti, sipas tij, ka bërë atë që askush nuk e kishte imagjinuar më parë.

Për mendimin tim, nuk mund të ketë asnjë ide. Ka qenë votim për interesa momentale. Nga përvoja e Dibrës, votuesit janë sulmuar në kuptimin që janë ofruar para ose janë bërë premtime personale të drejtpërdrejta. Qytetarët nuk kanë votuar as programin, as ekipin, por ata janë sulmuar. Sa i përket arrogancës së ministrave, kjo është pa kuptim. Këta janë disa faktorë që mund të quhen vërejtje për qeverisjen dhe jo shkaqe të humbjes, sepse qeveria nuk mund të gjykohet nga arroganca e njërit apo tjetrit, por vlerësohet me ato që ka prodhuar. Qeveria e PD-së në dy mandate ka prodhuar më shumë se sa gjithë Shqipëria ka parë në historinë e vet. Aq më tepër që janë prodhuar rrugë, autostrada, të cilat as kanë ekzistuar në imagjinatën e shqiptarëve. Është përmirësuar shërbimi i ujit të pijshëm, është modernizuar shërbimi arsimor dhe shëndetësor. Pra janë arritje të prekshme, të dukshme, që nuk mund të përbalten dhe të anashkalohen nëse ne gjykojmë faktorët. Këtu ka pasur disa arsye të pashpjegueshme, sepse pesëfishimi i rezultateve të LSI-së duhet parë me faktorët specifikë që ajo duhet të ketë, tha ai për Panorama.

Për Shehun, dorëheqja e Berishës është akti më civil që Shqipëria ka parë ndonjëherë.

Është akti më civil që ka parë Shqipëria dhe politika shqiptare. Është modeli i sjelljes politike. Është antitezë e sjelljes së Edi Ramës qoftë në vitin 2009, qoftë në 2011-n. Po të kthehemi mbrapa kujtojmë kërkesën për hapjen e kutive në 2009-n dhe pushtimin e KQZ-së në 2011-n. Ato ishin sjelljet më të shëmtuara të një politikani. Po të shikosh sjelljen civile të Sali Berishës, ai ka dhënë një model që të shpresojmë që do ta bëjë edhe Edi Ramën që të paktën tu kërkojë ndjesë shqiptarëve për sjelljet dhe veprimet politike gjatë karrierës së tij politike të deritanishme, e mbyll ai./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›