E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukan dhe Fajon: Kemi arsye të besojmë se vlerësimi për Shqipërinë do jetë pozitiv

09-12-2011 / Gazeta 55

Takimi i Stabilizim Asociimit BE - Shqipëri, delegacioni i Parlamentit Evropian vlerëson marrëveshjet e arritura mes forcave politike 


“Në Parlamentit Europian gjërat po lëvizin pozitivisht për Shqipërinë dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë që kjo atmosferë të vijojë në këtë trend pozitiv”. Kështu u shpreh dje Kryetari i Delegacionit për Marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan gjatë takimit që zhvilloi me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Delegacioni i Parlamentit Europian, i kryesuar nga Eduart Kukan dhe eurodeputetja Tanja Fajon ndodhen në Shqipëri për Takimin e radhës BE-Shqipëri, të Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociimin. Anëtarët e delegacionit të PE-së u shprehen se “kemi arsye të besojmë se për Shqipërinë do ketë gjuhë pozitive. Zhvillimet pozitive ekonomike në Shqipëri në këtë kohë të një krize të paprecedent në eurozonë, ju japin  mundësi të mëdha. Roli juaj dhe i Shqipërisë në rajon janë fondamentale për ne”. Ata theksuan se, procesi i zgjerimit të BE-së, është i papërfunduar dhe pa anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor ky proces nuk do të ishte i mbyllur.  Parlamenti Europian ka qenë dhe mbetet një mbështetës i fortë i zgjerimit të BE-së”. Gjithashtu Kukan tha se “jemi shumë të lumtur që po vijnë lajme shumë pozitive nga Shqipëria. Arritja e marrëveshjeve dhe votimi i tre ligjeve me 3/5 janë hapa inkurajues dhe konkrete. Shpresojmë të vijohet në këtë klimë, në përmbushje të aspiratës integruese”. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli, duke falënderuar delegacionin për mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë, tha se,“ndihem e lehtësuar që klima politike në parlament tashmë është normale dhe se pas dy vitesh bojkoti opozita i është kthyer punës në komisionet parlamentare dhe po merr pjesë në votime në seancat plenare. Kemi miratuar 3 kode që kërkojnë 3/5-at, kemi ngritur komisionin për reformën zgjedhore, ashtu si edhe grupin e punës për Rregullore, bazuar në rregulloren e Parlamentit Europian, me konsensusin e të gjitha palëve”, u bëri të ditur Topalli, delegacionit të Parlamentit Europian. Ajo nënvizoi se “mazhoranca e ka autorizuar të mbështesë draft opinionin e përbashkët të OSBE ODIHR dhe Komisioni i Venecias mbi ligjin elektoral dhe praktikat elektorale. Dua të besoj se opozita e vlerëson po ashtu”. Kryeparlamentarja konfirmoi se do të marrë pjesë personalisht në seancën plenare për këtë çështje në Komisionin e Venecias dhe do të mbështesë këtë draft opinion të përbashkët të këtyre dy institucioneve. “Ky është një qëndrim koherent i mazhorancës, i përsëritur shumë herë gjatë dy viteve të kaluara”, tha Topalli. Delegacioni i PE-së kryesohet nga shefi për Evropën Juglindore në KE-së, Eduard Kukan përbëhet nga europarlamentarët Victor Bostinaru, nënkryetar i grupit S-D Rumani, Antonio Cancian nga EPP Itali, Tanja Fajon S-D Slloveni, Stanimir Ilchev nga partia ALDE Bullgari dhe Michail Tremopoulos nga Greens/EFA Greqi. Sot delegacioni i Parlamentit Europian do të marrë pjesë në takimin e 4-ët BE – Shqipëri të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociimin. Delegacioni do të ulë në një tryezë të përbashkët përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës, ku pritet të kërkohet edhe nënshkrimi i një rezolute të përbashkët, e cila nuk u nënshkrua as në takimin e parafundit, në pranverë, ku opozita refuzoi rekomandimet e ndërkombëtarëve për zhbllokimin e ngërçit politik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›