E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Të rinjtë, çelësi i fitores së PD edhe në 2013-n”

09-12-2011 / Gazeta 55

Në Ditën Kombëtare të Rinisë, kryeministri Berisha uron nga Franca për kontributin e të rinjve në këto 20 vite reformash, të cilat e kanë çuar Shqipërinë vite dritë larg asaj të dhjetorit ’90. energjitë dhe idealet e rinisë do të jenë edhe çelësi që do t’u japë reformave qeveritare edhe një mandat tjetër në 2013-n


Kryeministri Sali Berisha ka uruar nga Franca për Ditën Kombëtare të Rinisë. Ai ka uruar të gjithë të rinjtë, të cilët sipas tij ishin përcaktuesit e fitores edhe në vitin 2009 dhe ka shprehur bindjen se do të jenë pikërisht ata që do të bëjnë fitoren edhe në vitin 2013. “Unë dua tu përshëndes ju këtë ditë, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë sepse në këto 21 vite ju ishit dhe forca më kryesore e demokracisë së vendit. Ju përcaktuat fitoren e qendrës së djathtë në vitin 2009, përcaktuat fitoren me votën tuaj, fitoren e viti 2009, fitoren e këtyre parimeve në vitin 2011 dhe kam bindjen më të plotë se ju, me energjitë, me mençuritë, me vizionin, me përkushtimin, me idealet e larta, fisnike, të dhjetorit të viteve 90 do të përcaktoni fitoren më të thellë të qershorit të viti 2013”, ka theksuar Berisha. Sipas tij, Shqipëria sot është vite drite larg asaj që ishte në dhjetorin e vitit 1990, kur të rinjtë si shpresa e vendit luftonin për liri e demokraci. “21 vjet më parë, të rinjtë dhe të rejat  e Tiranës, studentet dhe studentët, punonjës dhe qytetarë, intelektualët e kryeqytetit zhvilluan një betejë legjendare, një betejë të ngjashme me betejën midis Davidit dhe Goliatit që gjunjëzuan në një kohë të shkurtër diktaturën më të egër në Evropë, morën në dorë udhëheqjen e një lëvizje të paprecedentë në historinë tonë kombëtare, lëvizje e cila do të përcaktonte si objektivat më madhore, Shqipërinë e lirë evropiane, çështjen kombëtare si çështje të para, rrugën demokratike të zhvillimeve dhe shmangien e një konflikti vëllavrasës brenda vendit. Ata, të cilët formësuan këtë lëvizje, me kurajë, me ndenja, me dashurinë  e tyre për vendin përmbushën me dinjitet të madh këtë mision. Shqipëria 21 vjet më pas është 21 vite drite larg asaj që ishte në dhjetorin e vitit ‘90. Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Ëndrra evropiane e të rinjve të vendit më të izoluar të Evropës u bë realitet. Gjaku i atyre dhjetëra e dhjetëra në mos qindra të rinjve dhe të rejave që u ekzekutuan barbarisht në kufijtë  e vendit në vitin ‘90 u bë dritë dhe sot shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Evropën”, vijon mesazhi i kryeministrit Berisha. Ai ka vlerësuar brezin e ri si forcën më të madhe të vendit për zhvillim dhe integrimin në familjen europiane. “Nga Kongresi i 20 i Partive Popullore Evropiane, qyteti historik i Marsejës dëshiroj t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta çdo të reje dhe të riu shqiptar, studenteve dhe studentëve të Shqipërisë dhe ne veçanti atyre që 21 vjet më parë lanë auditorët dhe bankat e universiteteve, mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës, shndërruan 8 dhjetorin në ditën e tyre, ditën që ndan epokat, ditën që çeli dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët, shndërruan vitin ‘90 në vitin e mrekullive të mëdha të kombit shqiptar”, deklaron më tej në mesazhin e tij për festën Kombëtare të Rinisë, kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›