E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukan kërkon përmbajtje nga përshkallëzimi i situatës

Nga Express më 15 shtator 2011 në ora 21:32

Deputeti i Parlamentit Evropian, njëherësh kryetar i Delegacionit për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës.

Reagimi vjen pas tensionimit të situatës ndërmjet Prishtinës e Beogradit lidhur me zbatimin e marrëveshjes për doganat, veçanërisht në veri të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, Kukan iu ka bërë thirrje politikanëve përgjegjës të të dy palëve dhe serbëve që jetojnë në veri të Kosovës që të përmbahen nga çdo veprim i dhunshëm.

“Duhet të jetë në interes të të gjithëve rivendosja e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Ne të gjithë vlerësojmë mënyrën e përgjegjshme, në të cilën dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit kishte ri-filluar në fillim të muajit dhe do të më vinte shumë keq nëse arritjet do të shkonin dëm”, ka thënë ai.

Prishtina zyrtare për nesër ka paralajmëruar dërgimin e policisë dhe doganierëve në veri, ndërkohë që serbët kanë kërcënuar se do të bllokojnë rrugët.

Ndërkohë, EULEX-i ka bërë të ditur se operacionet doganore në portat kufitare do të kryhen nga doganierët e EULEX-it, në prezencë të doganierëve të Kosovës.

Tensionet në veri janë shtuar pasi që Policia e Kosovës më 25 korrik ndërmori aksionin për kthimin e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, të cilat për një kohë të gjatë ishin jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare. Në këto dy pika zhvillohej krimi dhe kontrabanda.

Gjatë aksionit në fund të korrikut për marrjen e dy pikave kufitare në veri, është vrarë një pjesëtar i njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›