E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjithë e duan Gjimnazin “Sami Frashri”

Nga Express më 15 shtator 2011 në ora 10:08

Derisa procesi mësimor ka dy javë që ka nisur dhe është thënë se gjithçka po zhvillohet me rregull, gjimnazi “Sami Frashri” në Prishtinë është njëra nga shkollat ku jo gjithçka po zhvillohet me rregull pasi që kërkesat e nxënësve për t`u regjistruar në këtë gjimnaz në klasën e dhjetë janë ende evidente. Për këtë arsye është duke u ndërtuar një aneks në këtë shkollë, i cili pritet t`i përmbushë kërkesat e nxënësve që nuk patën mundësi të regjistroheshin në afatin e qershorit dhe të gushtit.

Drejtori i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Prishtinës, Rezmi Saliu, ka thënë për Kosovapress se edhe këtë vit shkollor interesimi më i madh i nxënësve për t’u regjistruar ka qenë për gjimnazet “Sami Frashri”, “Xhevdet Doda” dhe shkollën e mesme të mjekësisë “Dr. Ali Sokoli”.

“Kemi hapësirë të mjaftueshme, mirëpo zgjedhja e nxënësve ne na dikton. Konkurrenca më e madhe është në gjimnazin “Sami Frashri”, Gjimnazin “Xhevdet Doda”, shkollën e mesme të mjekësisë dhe shkollën e mesme ekonomike-juridike. Këto janë preferencat e nxënësve, prandaj ne nuk kemi mundësi që të gjithë nxënësit që janë të interesuar në këto shkolla të përfshihen”, ka thënë ai.

Zëvendësdrejtori i gjimnazit “Sami Frashri”, Shemsedin Gashi, ka bërë të ditur se për t’u regjistruar në këtë gjimnaz në klasën e dhjetë kanë konkurruar mbi 1200 nxënës, prej tyre janë pranuar për 16 paralele 514 nxënës, derisa një numër i madh i nxënësve janë refuzuar për shkak të mungesës së hapësirës në shkollë.

“Mbi 1200 kanë konkurruar, prej tyre janë pranuar për 16 paralele 514 nxënës. Një numër i madh, do të thotë rreth 800 nxënës, janë refuzuar. Suksesi i atyre që janë refuzuar kanë qenë të shkëlqyeshëm, por konkurrenca e ka bërë të vetën ata që kanë qenë me pikë më të mëdha e kanë zënë vendin në gjimnazin “Sami Frashri” në klasat e dhjeta”, ka thënë Saliu.

Ndërkaq e vetmja shpresë për nxënësit të cilët ende presin që ta kenë një bankë në gjimnazin “Sami Frashri”, është aneksi i ri i cili është në ndërtim e sipër dhe pritet të përfundojë në fund të shtatorit.

“Ne po shpresojmë si shkollë, si drejtori, që punët meqenëse janë në përfundim e sipër, aty do të ketë vend për disa paralele shtesë në objektin e ri, por problemi kryesor tash është në përfundimin e punëve finale në këtë aneks. Nëse përfundon më shpejt, ne do t`ia fillojmë pak më shpejt”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, vonesat e ndërtimit të këtij aneksi kanë ardhur si pasojë e punë ndërtuesit dhe investitorëve, por edhe pritja e lejes nga MASHT-i për ndërtimin dhe shtimin e paraleleve të reja, të cilën tashmë e kanë marrë. Në MASHT ndërkaq nuk “preferojnë” të japin shpjegime lidhur me këtë çështje.

Praktika e deritashme tregon se gjimnazit “Sami Frashri” ia mësyjnë nxënësit jo vetëm nga komuna e Prishtinës, por edhe të komunave tjera dhe sipas Gashit arsyeja për këtë është cilësia e mësimit dhe mungesa e atraktivitetit në shkolla profesionale.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›