E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukan në PE: Zgjedhjet nuk e kalojnë stanjacionin politik

Sipas tij, situata në përgjithësi ishte e polarizuar, por dita e zgjedhjeve ishte paqësore.

“Procesi i votimit ishte i rregullt dhe i zhvilluar në mënyrë paqësore, megjithatë polarizimi ishte shumë i qartë. Në disa raste, kishte votime familjare. Pati konfuzion në disa qendra votimi”, theksoi ai. Por, për kreun e delegacionit të PE-së në Shqipëri, problemi më i madh ishte ai i numërimit të votave, duke theksuar se ky proces zgjati tejet shumë dhe rezultatet paraprake për Tiranën ishin 6 ditë më vonë.

“Numërimi ishte i centralizuar dhe shkaktoi vonesa në procedurat e numërimit, veçanërisht në Tiranë, numërimi vazhdoi shumë gjatë dhe rezultatet paraprake u lajmëruan më 14 maj, që tregonte se kandidati socialist kishte 10 vota përpara. Zgjedhjet ishin paqësore. Pati përmirësime të ndjeshme dhe do të doja të theksoja se shqiptarët e mirëpritën delegacionin e Parlamentit Evropian”, shtoi ai.

Më tej, Kukan u shpreh se pas ditës së votimit pati një përkeqësim të situatës. “Kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi rinumërim të votave që të merren në konsideratë votat e hedhura në kutitë e gabuara. KQZ mori vendimin 4 me 3, që shkaktoi debate. Situata u tensionua shumë. Pavarësisht vendimit të KQZ-së, opozita zhvilloi protesta dhe mori vendimin për të bojkotuar Parlamentin. Ambasadorët po vazhdojnë diplomacinë. KQZ vendosi të shpallte rezultatet përfundimtar për Bashkinë e Tiranës, por vendimi përfundimtar do të jepet nga Kolegji Zgjedhor, çka do të thotë se procesi nuk ka mbaruar”, u shpreh Kukan.

Pjesëmarrja e lartë e shqiptarëve në zgjedhje-vijoi ai- tregoi se njerëzit e duan vendin dhe të ardhmen e tyre. “Këto zgjedhje duhet të kishin treguar maturi politike dhe të tregonin se mund të bënin zgjedhje sipas standardeve. Këto zgjedhje nuk do të ndihmojnë Shqipërinë për të tejkaluar stanjacionin politik. E di që dukem pesimist, por uroj që të jem gabim pasi dua më të mirën për Shqipërinë. Problemet duhen lënë për ekspertët dhe institucionet, por stabiliteti i një vendi është në duart e liderëve politikë. Në këtë situatë PE duhet të flasë në një zë dhe ky zë duhet të jetë i koordinuar si në Komisionin Evropian dhe në Këshillin Evropian dhe ne duhet të kemi parasysh interesin e vendit dhe njerëzit e tij, sepse jam i bindur se populli shqiptar meriton shumë më tepër.”, përfundoi fjalën e tij para Parlamentit Evropian.

/Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-05-25 10:43
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›