E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukan takon Topin: Pëmbushni kriteret, vizat këtë verë

Kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, takoi sot presidentin Bamir Topi, ku ka theksuar se me përmbushjen e kritereve teknike, procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë do të bëhet realitet para fillimit të pushimeve verore.
Kukan dhe delegacioni që e shoqëron u takuan me Presidentin Topi, i cili vuri dukje angazhimin maksimal dhe vullnetin e duhur të shtetit shqiptar për të realizuar me sukses një sërë reformash të rëndësishme, sidomos në sistemin e drejtësisë, që do të plotësonin kuadrin e nevojshëm të standardeve integruese në familjen e madhe evropiane, një aspiratë kjo madhore e qytetarëve shqiptarë dhe përparësi kryesore e politikës sonë të jashtme.

Në këtë drejtim, Presidenti Topi ritheksoi faktin se liberalizimi i vizave për Shqipërinë me BE-në do të ishte një hap tepër pozitiv që do të afronte më tepër dhe jo vetëm shpirtërisht shqiptarët me familjen e madhe evropiane. Në mënyrë të veçantë, gjatë bashkëbisedimit me z. Kukan, Presidenti i Republikës u ndal në prezantimin e situatës aktuale politike në vend, ku shprehu besim se partitë politike do të dinë të tregojnë vullnetin e tyre për kapërcimin e kësaj situate.

Presidenti Topi nënvizoi se zgjidhja institucionale e saj do t'i shërbente interesave madhore të qytetarëve shqiptarë për një të ardhme integruese në BE, një të ardhme më të sigurt dhe me prosperitet. Kreu i shtetit shqiptar dhe delegacioni i europarlamentarëve ndanë të njëjtin mendim për sa i takon realitetit të qëndrueshëm në Ballkan dhe rëndësisë së bashkëpunimit politik e ekonomik mes të gjitha vendeve të rajonit, të orientuara qartë tashmë drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe evropiane.

Nga ana e tij, drejtuesi i delegacionit europarlamentar për Evropën Juglindore, z. Kukan pasi çmoi përparimin e vendit tonë, që jo vetëm arriti të bëhej anëtar i NATOs-, por po ecën i sigurt drejt anëtarësimit në BE, vlerësoi rolin moderator dhe pozitiv të Presidentit Topi për realizimin e tryezës politike mes udhëheqësve të maxhorancës dhe opozitës, që prodhoi rifillimin e dialogut politik dhe hyrjen e opozitës në Parlament. Ai apeloi që ky dialog i nisur të vazhdojë e të forcohet sa më shumë për t'i dhënë zgjidhje përfundimisht situatës politike në vend.

Delegacioni i Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, i kryesuar nga Presidenti i tij, Eduart Kukan ndodhet në Tiranë për të parë nga afër plotësimin nga qeveria shqiptare të kushteve të kërkuara për liberalizimin e vizave me BE-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›