E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukeli: “Badibildingu, mbreti i sporteve”

Sekretari i Federatës: “Aleksandër Kondo ishte frymëzimi i një brezi të tërë”. Stiv Rives dhe Arnold Shvarceneger idhujt e badibilderëve shqiptarë

“Në rast se atletika konsiderohet me të drejtë si ‘mbretëresha e sporteve’, nga të gjithë ka një mendim unanim se badibildingu është ‘mbreti’, pasi sportistët që performojnë në këtë disiplinë kanë trupat më të bukur”. Rando Kukeli, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Badibildingut, ndihet krenar me këtë etiketim. “Ndërtimi i trupit është rëndësishëm për ndërtimin e kombit”, ky është sipas Kukelit, edhe qëllimi kryesor i federatës që ai drejton. “Disa prej nesh kishin emigruar jashtë shtetit. Isha marrë me peshëngritje dhe e pata të thjeshtë të ushtrohesha në badibilding dhe u ushtrova dy vjet me fitnes dhe badibilding. Dëshiroj ta theksoj se më parë. Në Gjermani mësuam programet e para të stërvitjes për tu bërë një badibilder”.

I NATYRSHËM PËR SHQIPTARËT

Sipas Kukelit, pjesëmarrës në të gjitha aktivitet e mëdha botërore dhe evropiane, ku Shqipëria është përfaqësuar, temperamenti shqiptar ne këtë drejtim është tepër i zhvilluar dhe kjo ka ekzistuar në shekuj, që në lashtësi. “Kjo vërtetohet më së miri jo vetëm nëpër objektet arkeologjike ku paraqiten luftëtarë ilirë, të fortë dhe me fizik të mrekullueshëm, duke u stërvitur me pesha prej guri të gdhendur, por edhe ne libra e romane historik ku në mënyra të ndryshme shqiptarët kujdeseshin për trupin e tyre”, - thekson Kukeli, një nga figurat më të shquara që ka nxjerrë badibildingu modest shqiptar. Në fakt, badibildingu edhe pse ishte një sport i përshtatshëm për karakterin dhe për trashëgiminë gjenetike - njihen shqiptarët si njerëz robust dhe të fuqishëm - nuk pati një organizim zyrtar duke mos u lejuar para viteve 1990.

TË FRYMYZUAR NGA STIV RIVES

“Megjithatë dëshira dhe pasioni i shumë të rinjve në atë kohë të inspiruar dhe nga disa filma historik, që shfaqeshin në kinematë e Tiranës dhe qyteteve të tjera, ku luanin bilder-aktorë si Stiv Rives, Serge Nubre, Arnold Shvarxeneger etj, ishte e madhe dhe pati tepër masivizim duke krijuar një mentalitet të favorshëm për amatorët që stërviteshin për këtë qëllim. Madje ekzistonte një frymë konkurrence, ku në biseda shokësh gjatë shëtitjeve në rrugët e qyteteve apo më saktë gjatë sezonit të plazhit, vlerësoheshin dhe përcaktoheshin "kampionët”, - thekson Kukeli,

SPORTI I TRUPAVE TË BUKUR

“Është plotësisht e vërtetë që badibildingu është një sport i trupave të bukur, por nga ana tjetër është një sport shumë i kushtueshëm, - thotë për “Albania”-n, Kukeli. “Lëvizjet e para në Shqipëri për të ushtruar badibildingun datojnë në vitin 1993, pikërisht në emisionin “Trupi dhe shëndeti” të doktor Flamur Topit në televizionin shqiptar. Ishim një grup djemsh të apasionuar pas trupit të bukur e muskulor. Doktor Flamuri kishte parë në Itali një konkurs badibildingu dhe u bë promotor i organizimit të një aktiviteti të tillë edhe në Shqipëri. Ishte një moment ku u ndërthurën pasionet tona me një njeri që morri përsipër organizimin e këtij eventi të parë në vendin tonë. Ishim gati 20 djem në konkursin e parë, duke iu nënshtruar edhe një seleksionimi. Duhet ta pohoj se ka pasur edhe në moment hezitimi, kjo për faktin edhe të zhveshjes. Gjithsesi, duke pasur në mëndje ato që kishin bërë më parë Arnold Shvarzenegeri e të tjerë figura mëdha të badibildingur botëror edhe në Shqipëri, filloi të gjeneronte ideja e organizimit zyrtar si federatë dhe aktiviteteve kombëtare të badibildingut.

EKSPERIENCA EUROPIANE

Në fillim të viteve 90-të me ardhjen e demokracisë dhe hapjen e Shqipërisë me botën dhe me lëvizjen e lirë të njerëzve si jashtë dhe brenda vendit, si rrjedhojë solli një frymë të re duke u krijuar shoqata, ekipe dhe organizime në disa lloje sportesh të rinj, që nuk zhvilloheshin më parë në vendin tonë dhe ndër to futet edhe badibildingu. “Në këtë kohë pati shumë individë ku panë, mësuan dhe u stërvitën në palestra të qyteteve të ndryshme ne Europë, që pa dyshim kanë një traditë e kulturë tepër të zhvilluar në këtë drejtim e së bashku me amatorët që stërviteshin në palestrat sportive shqiptare sollën një traditë të re dhe një eksperiencë tepër të vyer në hapat e para të këtij lloj sporti në Shqipëri. Epiqendra dhe bërthama e kësaj lëvizjeje në atë kohë u bë palestra e Qendrës Sportive në Tiranë, që drejtohej nga profesor Sadik Mema i cili ka merita në afrimin dhe këshillimin e shumë të rinjve, që më vonë do të bëheshin sportistë kryesorë dhe kampion të vendit.

Mesimet e kosovarit Cahani

“Për fat të mirë në atë kohë kishte ardhur nga Kosova, profesor Bedri Cahani,- shton sekretari Kukeli. “Ai kishte dëgjuar për gjithë këto lëvizje dhe në një gare seleksionuse, që zhvillohej atëherë në ambientet e cirkut të Tiranës, erdhi e u prezantua në mënyrë tepër modeste duke kërkuar të jepte ndihmesën dhe kontributin e tij ne drejtimin dhe organizimin e bodibildingut. Cahani ishte një profesionist i vërtetë dhe më një eksperiencë shumëvjeçare. Bedri Cahani ishte kampion i shumëfishtë i Kosovës dhe të jesh i tillë në Kosovë nuk është e lehtë për vetë nivelin e lartë që kanë billderët kosovare.

Krijimi i Federatës

Në vitin 1994 me mbështetjen e të gjithë billderëve u bë i mundur krijimi i Shoqatës Shqiptare të Body-Buildingut. Kryetar u zgjodh mjeku Flamur Topi dhe Sekretar i Përgjithshëm Bedri Cahani. Në muajin shkurt të vitit 1996 shënohet një eveniment shumë i rëndësishëm për të gjithë sportistët e badibildingut. “Pas shumë përpjekjesh krijohet Federata Shqiptare e Body-Buildingut (FSHBB), e njohur dhe e regjistruar zyrtarisht në Ministrinë Sporteve. Presidenti u zgjodh Flamur Topi dhe Sekretar i Përgjithshëm, Bedri Cahani. “Menjëherë bëhet kërkesa për antarësimin e Shqipërisë në IFBB (International Federation of Body Builders). Pas pak kohe vjen miratimi nga federata ndërkombëtare dhe kështu përfundimisht vendi ynë bëhet anëtar me të gjithë të drejtat duke i dhënë mundësi edhe billderëve shqiptarë për të konkurruar në aktivitetet ndërkombëtare”, -thotë Kukeli.

Ilir Mema, kampioni i parë;
Orkez Prushi i fundit

Ilir Mema është kampioni i parë shqiptar i badibildingut. Mema fitoi vendin e parë në Kampionatin e parë Kombëtar të zhvilluar në qershor të vitit 1994, në Tiranë. Në podiumin e nderit u ngiten edhe Albion Plumbi (vendi i dytë) dhe Rando Kukeli (vendi i tretë). Orkez Prushi është kampioni i fundit shqiptar e mbarëkombëtar, trofe të fituara në Kampionatin Kombëtar e Mbarëkombatar të zhvilluar, më 24 tetor 2009. Gjithsesi, Rando Kukeli, është “trupi” që ka fituar më shumë medalje, duke dominuar këtë sport nga viti 1995, deri sa u tërhoq nga garat në vitin 1998, duke u marë me organizmin e federaëtës. Tirana është “zemra” e badibildingurt me emra të spikatur: Ilir Mema, Rando Kukeli, Albion Plumbi, Rudin Tugu, , Ilir Lalica, Fani Zguro, Dorian Kalo, Mentor Basha, Hasan Ranxha, Çezar Ahmetaj, Flogert Prifti, Renard Braçellari, Abdul Fauaz, Orkez Prushi, Shirea Hoxha, Gramoz Beshiri, Armando Sadushi, Marin Meksi, Olsi Stafa, Taulant Jakupi. Edhe qytetet periferike kanë përfaqësuesit e tyre të spikatur: Urim Muja (Kukës), Kujtim Përshpali (Laç), Nikollaq Muço (Gjirokastër), Sokol Mati (Tepelenë), Hasan Olloni (Kukës), Halim Hysa (Dibër), Erjon Selgjekaj (Shkodër), Stiven Latifi (Shkodër), Dorjan Fataj (Skraprar). Në kampionatet mbarëkombëtare spikasin edhe sportistët kosovarë, Myftar Bega (Gjilan, kampion absolut mbarëkombëtar, 2003) dhe Flamur Hoxha (Pejë).

Aleksandër Kondo, frymëzim
për meshkujt e kryeqytetit

Badibilderët e parë ishin në përgjithësi peshëngritësit. “Më i spikaturi për të mos i përmendur të gjithë,- thotë Kukeli, - ishte Aleksandër Kondo në fillim të viteve '80-të. Duhet theksuar se ai u bë një figurë ku u inspiruan jo vetëm shumë peshëngritës, por edhe shumë amatorë që merreshin me ndërtimin e trupit”.

Libri i parë “Body-Building”

Në vitet '80-të në Bibliotekën Kombëtare ka qarkulluar një libër në shqip, i vetmi edhe në ditët e sotme, me titullin origjinal “Body-Building” me autor billderin e parë kampion dhe iniciator të Kosovës, Idriz Humolli. Eshtë një libër tepër i vlefshëm, që orienton drejtë të gjithë ata që stërvitin trupin e tyre, si fillestarët ashtu dhe të avancuarit.

Sport i kushtueshëm

Të krijosh e të mirëmbash një trup badibilderi, sipas Kukelit, të duhet të shpenzosh shumw, duke filluar që nga dieta strikte, ushqimet suplementare me disafish koncentrate proteinash, vitaminash.

Nga fitnesi, te badibildungu

Badibildingu është shkalla me e lartë e fitnesit, është shumë profesional, pasi merr me shumë ngarkesë. Janë të njëjtat vegla ku ushtrohesh. Badibildingu është më i egër, më ‘strong’, - thotë Kukeli.

Stiv Rives, modeli fizik i shqiptarëve

“Nuk ka qenë kurrsesi spontane marrja dhe ushtrimi i trupit. Në Tiranë edhe para viteve 1990 ka pasur shumë djem me trupa të bukur, të cilët quheshin në zhargonin e asaj kohe ‘trupa pararelesh’. Badibildingu nuk konsiderohej sport në Shqipëri dhe një njeri që merrej me hekura shihej thjesht kështu. Unë personalisht merresha me peshëngritje, por ‘fshehtas’ bëja edhe ushtrime të mirëfillta badibilderi”, - thotë Kukeli. Periudha kinematografike gjatë regjimit komunist ishte e mbushur me filma me revolta gladiatorësh, luftë midis skllevërve dhe skllavopronarëve, beteja greko-trojane, apo histori me herkulë e babilonas. “Për çdo sportist të sporteve të rënda filmat ku aktronin meshkuj me trupa muskulorë ishin inspirim për të gjithë të rinjtë. Aty lindte pasioni: të pasurit trup të bukur e të fuqishëm. Ishte në logjikën e kohës”.

Ende diferenca me botën

Badibildingu shqiptar, pavarësisht se është një sport i ri në kohë në krahasim me ato të vendeve të tjera, konkurron me dinjitet dhe në arenën ndërkombëtare. “Është e natyrshme që në krahasim me botën ne kemi diferencë, nuk jemi në nivele aq të larta, - thotë Rando Kukeli, - por e rëndësishme është që kjo distancë po reduktohet, po e ngushtojmë atë. Nuk është e kollajtë që të përballesh me sportistë që vijnë nga shtete me përvojë mbi 50-vjeçare ku badibildingu është shndërruar në një kulturë”. Badibildingu në Shqipëri ka filluar në vitin 1993, por qysh atëherë ka njohur edhe momente shkëputjeje në realizimin e aktiviteteve sportive. “Gjithsesi, ka ndikuar edhe shkëputjet e këtij sporti në Shqipëri. U shkëputëm në vitin 1997 dhe rifilluam në vitin 2003”, - thekson Kukeli, i cili së bashku edhe me sportistët Ilir Lalica, Rudin Tugu dhe Sokol Mati, ka qenë pjesëmarrës në aktivitetin e parë ndërkombëtar ku Shqipëria ka marrë pjesë, në Kampionatin Ballkanik, në maj të vitit 1996, në Bitola të Maqedonisë. Fill pas këtij kampionati në nivel ballkanik, Shqipëria u bë dhe anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Badibilingut (qershor 1996), gjatë Kampionatit Europian, ku vendi ynë u prezantua në skenë me Rando Kukelin. Shqipëria ka marrë pjesë 5-herë në Kampionatet Botërore, 5-herë në Kampionatet Europiane, 4-herë në ato Mesdhetare, 8-herë në Kampionatet Ballkanike si dhe nga një herë në Kampionatin Botëror e Kampionatin Europian për të rinj.

Kampionate Ballkanike
Pjesëmarrje: 8 herë (Maqedoni (2), Rumani (2), Turqi, Serbi, Greqi, Mali i Zi)
Sportistë: Rando Kukeli, Ilir Lalica, Rudin Tugu, Sokol Mati (vendi i tretë në Stamboll, 2001, Orion Minga, Renard Bracellari, Sokol Mati, Kujtim Pershpali, Nikollaq Muço (vendi i tretë në Athinë, 2005), Marin Meksi, Abdul Fauaz dhe Halim Hysa.

Kampionate Europiane
Pjesëmarrje: 5 herë (Rumani, Spanjë, Zvicër, Rusi, Hungari)
Sportistë: Rando Kukeli, Renard Bracellari, Kujtim Pershpalaj, Nikollaq Muço.

Kampionate Mesdhetare
Pjesëmarrje: 4 herë (Itali, Egjipt, Qipro, Itali)
Sportistë: Dorian Kalo, Rudin Tugu, Rando Kukeli (vendi i 4-të Nikosia të Qipros, 2000), Orion Minga, Renard Bracellari, Kujtim Pershpali.

Kampionate Botërore
Pjesëmarrje: 6 herë (Jordani, Çeki, Turqi, Sllovaki, Egjipit, Rusi)
Sportistë: Rando Kukeli, Ilir Lalica, Sokol Mati, Ilir Hushi, Hasan Ranxha, Urim Muja

Kampionati Europian për të rinj
Pjesëmarrje: 1 herë (Rusi)
Sportist : Marin Meksi

Kampionati Botëror për të Rinj
Pjesëmarrje: 1 herë (Poloni)
Sportistë : Dorian Kalo, Rudin Tugu

Fataj, humbje me dinjitet

Në kampionatin e fundit kombëtare të badibildingut u pa një rivalitet i jashtëzakonshëm midis dy badibilderve Orkez Prushi (vendi i parë) dhe Dorian Fataj (vendi i dytë): “Diferenca midis tyre ishte shumë e vogël. Vendosën detajet dhe eksperienca për t’i bërë të dallueshme, - shpjegon Kukeli. “Fataj gaboi në pjesën e ekzibicionit, pavarësisht se ishte një në formë të jashtëzakonshme. Unë kam bindje të plotë se Doriani është badibilderi i së ardhmes. Është vetëm 26 vjeç. Do të jetë kampion absolut”.

9 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›