E Diel, 1 Nëntor 2026

Hervin Çuli, jeta mes dy dashurive



Izaura Ndoj

Është e vështirë ta gjesh larg dyerve të teatrit “Metropol”. Brenda tyre çdo minutë është e shenjtë. Thuajse i pamungueshëm në shfaqjet e teatrit, është pak a shumë si të ishte peshk dhe teatri ujë për të. Prapa derës së provave një dorë e kujdesshme ka shkruar: “Mos trokit, këtu ka prova”. Dëgjohet zëri kumbues i regjisorit të njohur Hervin Çuli gjatë provave të shfaqjes që do të vijë në datën 14 nëntor me “E zonja e bujtinës”. E shkëputëm një çast për t’u njohur më tepër me të jashtë skenës teatrale dhe lidhjet e tij me botën e jashtme, të cilën lirinë ia kufizon pikërisht mungesa e angazhimit që ka për të vënë në skenë vepra të mrekullueshme. Atij i duken strukturat e teatrit të ngurosura dhe në përgjithësi e shqetëson niveli që drejton sot komunitetin artistik. Ndërsa dashuria për të vazhdon të jetojë diku thellë brenda tij, përmes një procesi romantik që në përgjithësi ai e pikturon nëpër veprat e tij.

Hervin Çuli, në rast se ne do të të shkëpusim pak nga skena e teatrit, si e kalon ditën jashtë tij?

Momentalisht dita ime është e lidhur 24 orë në 24 me premierën më të re, “E zonja e bujtinës”, që do të vijë në skenën e teatrit “Metropol”, kështu që unë jetoj 24 orë me 24 me këtë shfaqje. Ndërsa pjesa tjetër e ditës time post shfaqjes, domethënë momentin që unë nuk kam shfaqje, jashtë saj, është një ditë e zakonshme, shumë normale, fare e thjeshtë. Jam një njeri që konsumoj shumë kohë në shtëpinë time, me gjërat e mia, me rutinën time, me ambientin tim. Mund të ndodhë që konsumoj dhe në orët e darkës me miqtë e mi, pasi jam një natyrë që pëlqej të dal në dritën e hënës, dhe jo në dritën dhe rrezatimin e diellit. Jam ngjyrnatik në përgjithësi si natyrë. Darkave mund të konsumoj dhe biseda me miqtë e njohur.

Çfarë i fal Tiranës Hervin Çuli gjatë kohës së lirë?
Përveç shfaqjeve, Hervin Çuli nuk i fal asgjë Tiranës, vetëm shfaqje. Pjesa tjetër është fare e thjeshtë.

Veç pasionit të teatrit, cilat janë pasionet e tjera?
Përveç teatrit pasionet ose hobet e mia janë të shumta, ose e thënë ndryshe, një nga hobet më të preferuara janë librat, sepse jam i lidhur me to gjatë gjithë kohës. Por një hob i fëmijërisë time, që ka ardhur duke u vyshkur dhe zbehur me kalimin e kohës, është sporti, një pasion i veçantë për fëmijërinë. Vazhdon që pasioni dhe hobi për mua të jenë të lidhura bashkë dhe të ndërthurura bashkë me teatrin dhe profesionin tim. Mund të them që hobit tim do t’i jepja një emër, pasi janë gjenitë e mëdhenj, Moxarti, Van Gogu, ndofta asnjëherë nuk do t’i largoj nga vetja dhe nuk do të ripërsëriten.

Si ndjehet dhe si konsiderohet mes miqve Hervin Çuli?
Mendoj dhe besoj se konsiderohem nga miqtë e mi si një njeri që harxhoj shumë nga vetja ime për miqësinë dhe problematikat e ndryshme që na rrethojnë. Besoj që miqtë e mi mendojnë që unë jam një natyre, një artist pak i çmendur. Por ata që janë miq dhe nuk kanë lidhje me interesat arrijnë të më njohin dhe të më kuptojnë më mirë se kushdo.

Po Hervini si e konsideron shoqërinë dhe miqësinë e mirë?
Në përgjithësi miqtë i fus nën lëkurë. Kështu, ata që i kam, i kam për kokë dhe ka vite të tëra që i kam. Pastaj kam dhe miqësi familjare. Pjesa e miqësisë ka një gjë, pasi ndonjëherë kalon në pjesën dhe përmasën e prindit si pa e ditur dhe vetë arrin dhe e kupton, rri e mendon se ke nevojë për një mik. Ndonjëherë vjen një moment që gjen më shumë afrimitet te miqësia, sesa te familja.

Jeta private...
Një jetë shumë e thjeshtë, me angazhime të shumta. Beqar, po kap të 40-at. Kaq.

Po dashuria për Hervin Çulin...?
Dashuria për Hervinin vazhdon të jetojë diku thellë, thellë brenda meje. Është një proces romantik që në përgjithësi unë e pikturoj në veprat e mia dhe e vendos në skenë. Në kuptimin jetë, në kuptimin njerëzor, mund të them që nuk është më ai pasioni i rinisë, por gjithsesi, unë gjithmonë jetoj me dashuri, nuk jetoj vetëm me dashurinë e femrës, jetoj me shumë dashuri, jetoj dhe me dashurinë e nënës time. Ndërsa dashuria dhe pasionet Romeo dhe Zhulieta për mua janë të humbura, ata jetojnë diku thellë dhe transmetohen në vepër.

Momentet e mërzitjes për regjisorin Hervin Çuli...
Momentet e mërzitjes për mua janë të shumta, më mërzit dhe nervozon shumë injoranca në përgjithësi. Fatkeqësisht në botën tonë shqiptare dhe në botën tonë teatrale artistike mbizotëron shumë injoranca dhe këto gjëra më mërzisin tej mase, aq sa më bëjnë të ndjehem tepër keq.

Periudha më e bukur e karrierës tuaj? Po më e vështira?
Periudhat më të bukura për mua janë periudhat kur unë vendos në skenë pjesët teatrale. Çdoherë që kam vënë shfaqje për mua janë çastet që kam përjetuar tmerrësisht emocione. Besoj se nuk janë pak 18 shfaqje, 18 shfaqje për moshën time 38 vjeç janë një mal me shfaqje dhe e them pa asnjë lloj modestie që kam arritur qëllimin kryesor artistik në karrierën time si regjisor. Ndërkohë, procesin e punës e kam shijuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Ndërsa periudha më e vështirë e karrierës sime, e thashë dhe më lart, është injoranca që në përgjithësi rrethon dhe drejton komunitetin artistik, më bën nervoz dhe që ka pleksur qendrat artistike në botën tonë. Këto gjëra tek unë ndikojnë tepër negativisht dhe më vjen shumë keq që Teatri Kombëtar, që unë i fal një pjesë shumë të madhe të jetës time, ka hyrë në një lloj strofulle të paemancipuar.

Si ndihet Hervini mes regjisë dhe aktrimit?
Besoj se profesioni i aktorit më është kthyer në një lloj hobi, por nuk arrij ta quaj më profesionin tim të parë, pasi profesioni im i parë është regjia, sepse ndjehem më komod dhe më i qetë. Kurse aktrimi për mua është një ndihmesë në një kohë të caktuar, ku dhe më shijon. Unë personalisht aktroj atëherë kur kam dëshirë, ndërsa profesioni im po shkon çdo ditë dhe më shumë drejt regjisurës, e cila do të mbetet i pavdekshme. Aktrimi është një hobi dhe nuk është se kam ndonjë ambicie të veçantë.

Mesazhi që përcjell shfaqja juaj e fundit, “E zonja e bujtinës” dhe sa i vështirë ka qenë ky projekt për t’u sjellë në skenë?
Nuk më pëlqen skematizmi që trajtohet nëpër media të ndryshme duke theksuar se çfarë mesazhi përcjell kjo vepër teatrale, por unë personalisht, në veprat e mia mundohem të kultivoj shijet, dhe jo mesazhet. Unë ofroj një shfaqje me një ngjarje, me një fabul shumë të bukur. Në veprën e Goldonit jam përpjekur të mos i deformoj mesazhin, por thjesht ta sjell si një risi të veçantë dhe ta lidh me enturazhin e viteve që unë jetoj, pasi jam Hervini i vitit 2010. Vepra që do të vihet më datë 14 nëntor në skenë, “E zonja e bujtinës”, është shkruar rreth viteve 1748-1752, pra është një vepër që i përket komedisë së karaktereve të teatrit të madh italian. Më tepër se një mesazh unë publikut do t’i transmetoja një kënaqësi dhe t’i jap publikut një shije, prandaj teatri që sjell Goldoni në vetvete nuk është mesazh, por është një shije, është art i vërtetë. Unë e paralelizoj veprën e Goldonit ndërmjet dy sekseve të ndryshme dhe prandaj vazhdoj ta them që teatri nuk është mesazh, është shije, është art. Jam përpjekur që nëpërmjet kulturës time dhe nëpërmjet shijeve të mia ta sjell veprën “E zonja e bujtinës” me një shije të veçantë. Vështirësia është e lidhur gjithmonë me kërkesën ndaj vetes dhe ndaj veprës. Sa më lehtë e kalon një vepër, aq më pak ndien kënaqësi në vetvete, ndërsa kur ke shumë vështirësi, shumë lodhje dhe mundohesh ta nxjerrësh sa më mirë një vepër ka akoma një shijë të madhe. Kjo vepër është një vepër e vështirë për të cilën unë jam lodhur dhe kemi punuar shumë.

Jeni regjisori që pëlqeheni shumë nga brezi i ri. Si e konsideroni këtë fakt?
E rëndësishme është që unë punoj shumë me brezin e ri dhe ky grup që unë kam, 90% e stafit është një grup i pakonsumuar, që do të luajnë në pjesën teatrale “E zonja e bujtinës”, janë të rinj, kanë ambicie, kanë dëshira. Pëlqej shumë individualitet e caktuara që integrohen shumë bukur me këtë brez të ri me kohën ku jetojmë, duke ndërthurur të dyja grupmoshat. Kjo gjë bëhet e dukshme dhe nga aktori Fatos Sela, i cili për mua nuk është vetëm një mik, por një artist që arrin të ndërthurë shumë bukur brezin e ri me atë të vjetrin.

7 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›