E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana nuk fal më



Tirana nuk është më ajo e pesë javëve të para. Në pesë javët e dyta të Kategorisë Superiore, kampionia në fuqi e Shqipërisë futbollistike është shfaqur me një profil të qartë fitueseje. “Viktima” e radhës ishte Shkumbini. Në Ersekë, Gramozi vendas çoi në delir tifozët e tij pas fitores së bujshme me Teutën (2-0). Kastrioti “vrau” Apoloninë në Fier me një gol në minutën e fundit në fitoren 3-2 të krutanëve në “Loni Papuçiu”.

Tirana – Shkumbini 2-0
Falë dy golave të realizuar nga Jetmir Sefa në pjesën e dytë (52’ e 57’), Tirana mposhti në “Qemal Stafa” 2-0 Shkumbinin, që e nga ana e tij luajti nga minuta a 43-të me dhjetë lojtarë pas ndëshkimin me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq të mesfushorit Ilirjan Çaushaj. Tirana, që vazhdoi serinë e fitoreve nën drejtimin e trajnerit Alban Tafaj, pas asaj me Vllazninë një javë më parë, duket se ka gjetur ritmin e duhur dhe grintën e kampiones në fuqi. Me kapitenin Devi Muka të rikthyer në formën optimale, mesfushorin Julian Ahmataj të rilindur dhe anësorin Gjergji Muzaka në momentet e tij më të mira (Ahmataj e Muzaka ishin pjesë e kombinimeve në golat e Jetmir Sefës), Tirana regjistroi fitoren e 5-të në dhjetë javët kampionat. Shkumbini nga ana e tij dëshmoi se jashtë Peqinit nuk e ka më rrezikshmërinë e nevojshme për një skuadër që kërkon pikë në transfertë ndaj skuadrave të mëdha.

Apolonia - Kastrioti 2-3
Kastrioti i Krujës arriti një fitore dramatike 2-3 me Apoloninë e Fierit në “Loni Papuçiu”, falë golit të realizuar nga gjiganti Robert Grizha në minutën e 91-të, në takimin hapës të javës së 10-të të Kategorisë Superiore. Apolonia shënoi e para me anë të Sead Haxhibuliçit në minutën e 28-të, por Orjand Abazaj barazoi për Kastriotin në të 42’. Albert Kaçi në minutën e 56-të i siguroi për herë të dytë avantazhin e përkohshëm Apolonisë, por sërish krutanët u kundërpërgjigjën me anë të Erlad Turdiut (63’).
Në minutën e parë shtesë pas kohës së rregullt, pas një gafe të pafalshme të portierit Haxho, Robert Grizha shënoi golin e tretë, që firmosi edhe fitoren e dytë rresht të Kastriotit pas asaj me Besën (1-0) në javën e 9-të. Kjo ishte humbja e parë në Fier e Apolonisë në gjashtë takime të luajtura në “Loni Papuçiu”. Apolonia tashmë u barazua me pikë ë nga Tirana, të dyja nga 17.
Kastrioti nga ana e tij regjistroi fitoren e parë në pesë ndeshje në transfertë, duke u ngjitur në kuotën e 15 pikëve, po aq sa Teuta e Durrësit.

Gramozi - Teuta 2-0
Gramozi i Ersekës triumfoi 2-0 nga Teutës së Durrësit, duke u rikthyer te fitorja pas pesë javëve, qysh nga ajo fitore po 2-0 me Flamurtarin në javën e 5-të, por nën drejtimin e ish-trajnerit Ilir Qirjako. Sulmuesi elbasanas i Gramozit, Armando Sadiku, ishte dhe heroi i fitores së dytë sezonale të skuadrës kolonjare të drejtuar nga Agim Canaj. 18-vjeçari Sadiku shënoi gy gola në pjesën e parë në minutat 17 e 25, duke e ngjitur skuadrën e tij në kuotën e 10 pikëve, duke lënë përkohësisht pas 3 ekipe, Laçin, Vllazninë e Shkodrës dhe Flamurtarin e Vlorës. Teuta e Durrësit dëshmoi se në transfertë është e pafuqishme, ku në gjashtë ndeshje skuadra e drejtuar nga Mirel Josa ka mundur të regjistrojë vetëm një fitore me Flamurtarin në Vlorë.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 10

07.11.2009

13:30 Apolonia-Kastrioti 2-3
Shënues Sead Hadjibulic 28’, Albert Kaçi 56’/Orjand Abazaj 42’, Turdiu 63’, Robert Grizha 90’+1

14:00 Gramozi-Teuta 2-0
Shënues: Armando Sadiku 17’, 25’

14:00 Tirana-Shkumbini 2-0
Shënues: Jetmir Sefa 52’, 57’

08.11.2009
13:00 Flamurtari-Laçi
14:00 Skënderbeu-Vllaznia

09.11.2009
13:30 Besa-Dinamo

RENDITJA, JAVA 10

1 Dinamo 9 23
2 Besa 9 18
3 Apolonia 10 17
4 Tirana 10 17
5 Teuta 10 15
6 Kastrioti 10 15
7 Shkumbini 10 11
8 Skënderbeu 9 10
9 Gramozi 10 10
10 Laçi 9 8
11 Flamurtari 9 8
12 Vllaznia 9 7

KUZHE

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ndoqi takimin Tirana-Shkumbini, për të ndjekur në aksion dy lojtarë të thirrur prej tij për miqësoren ndërkombëtare me Estoninë. Mbrojtësi Andi Lila zhvilloi një ndeshje të bukur, ndërsa mesfushori Jetmir Sefa realizoi të dy golat në fitoren e skuadrës së tij.

Vllaznia luan me fati në Korçë

Skënderbeu dhe Vllaznia do të përballen midis tyre në javën e 10-të Kategorisë Superiore. Skënderbeu, vendi i 8-të (10 pikë) vjen në përballjen me shkodranët pas një humbjeje 2-0 me Teutën në Durrës, dhe një hap fals mund të rezultonte fatale për “ujqërit e dëborës”. Trajneri i Skënderbeut, Gerti Haxhiu, në prag të transfertës me Vllazninë tha se lojtarët e tij duhet të japin maksimumin për ta fituar patjetër ndeshjen me Vllazninë. “Nuk e kemi luksin e një ekipi që duhet të tolerojmë në ndeshjen e së dielës ndaj Vllaznisë. Kjo do të thotë që në këtë ndeshje do të pranoj si rezultat vetëm fitoren”. Pas fitores 2-0 të Gramozit me Teutën, Vllaznia tashmë sërish renditet e fundit me vetëm 7 pikë. Trajneri Roland Luçi është përpara një misioni të vështirë në Korçë, pasi hijet e sezonit 1961-1962 kur Vllaznia përjetoi për herë të parë “ferrin” e kategorisë inferiore (atëhere të dytë) duket se kanë marrë ngjyrë të fortë. Vllaznia në transfertë është ekipi më i dobët: 5 ndeshje, 5 humbje.

SKËNDERBEU
Ndeshjet brenda: 5 ndeshje; 3 fitore, 1 barazim, 1 humbje

VLLAZNIA
Ndeshjet jashtë: 5 ndeshje; 0 fitore, 0 barazim, 5 humbje.

Elbasani triumfon me Partizanin

Elbasani doli fitimtar në supersfidën me Partizanin (3-2) në “Ruzhdi Bizhuta”, duke përmbysur dy herë dizavantazhin me të kuqtë. Heroi absolut i ndeshjes ishte Renato Hyshmeri, autor i një triplete fantastike. Partizani kaloi në avantazh me Klodian Asllanin në minutën e 5-të. Hyshmeri barazoi në të 11’. Andrelis Pashaj i çoi shifrat në 2-1, por sërish Hyshmeri vendosi ekuilibrat në 2-2 në të 33’. Pesë minuta më pas, heroi Hyshmeri realizoi tripletën e tij historike. Partizani e mbylli takimin me dhjetë lojtarë pasi Luan Pinari u ndëshkua me të kuqe në pjesën e parë.

Java 10, 07.11.2009
Kamza - Bilishti 1-0
Lushnja - Gramshi 3-0
Elbasani - Partizani 3-2
Memaliaj - Burreli 0-0
Besëlidhja - Luftetari 2-1
Ada - Sopoti 5-1
Turbina - Bylis 0-1

Të hënën, 9 nëntor
Pogradeci - Skrapari

7 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›