E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës-Morinë, ”Stop-i” i parë

Autori i Lajmit: red.
Në disa segmente rrugore të korridorit Durrës-Kukës-Morin, punimet janë ndërprerë për shkak të problemeve të pronësisë mbi tokën ku kalon autostrada që po ndërtohet.
Në një segment në afërsi të Kukësit nuk punohet prej 18 muajsh dhe ndërtuesit kanë kërcënuar se nëse shteti nuk zgjidh problemet atëherë ata do të tërhiqen nga puna.
Më problematike paraqitet situata në aksin Kukës-Morinë, ku përveç tokës prishen edhe shumë ndërtime. Në afërsi të kufirit me Kosovën, punimet janë ndëprerë, sepse duhet zhvendosur një varrezë e madhe, paratë për të cilën ende nuk janë lëvruar, ndonëse është bërë tenderi.
Makineritë e rënda kanë rrafshuar ndërtimet përgjatë gjurmës së rrugës vetëm pesë ditë më parë, ndërkohë që ka patur dhe kërcënime nga banorët se nëse nuk marrin dëmshpërblimet për pronat e humbura do të ndërpresin punën e firmave ndërtuese.
"I bëjmë thirrje organeve kompetente dhe qeverisë që të vijnë e të marrin masa që këto njerëz të mos bllokojnë punën e të dalin përpara, por të zgjidhin problemet e kadastrës," thotë një prej punonjësve.
Ditët e fundit janë parë forcat speciale të policisë, të cilat do garantojnë ecurinë e punimeve. Situata është më problematike në komunën e Tërthorës, ku kryetari i saj Remzi Veseli apelon për qeverinë që të kontrollojë punën e ndërtuesve.
"Unë kërkoj nga qeveria, nga kryeministri shqiptar që të ketë një kërkesë llogarie ndaj këtyre firmave, sepse këto duket sikur kanë fituar një lloj imuniteti nga pushteti qendror dhe kujtojnë se rrugën po e bëjnë me fondet e veta. Dihet që këto fonde janë të taksapaguesve shqiptarë, prandaj duhet të administrohen këto firma se kanë dalë jashtë kontrollit," thotë Remzi Veseli.
Qeveria ka deklaruar se kur banorët të kenë plotësuar dokumentat atëherë do të kenë të sigurtë kompensimin, madje qeveria ka dhënë 3.7 milionë euro për shpronësimet. Gjatë inspektimit në Kukës, kryeministri Sali Berisha kishte pranuar për BBC-në, për herë të të parë, shkeljen e afateve nga firmat shqiptare dhe një maqedonase, që punojnë në këtë aks, kjo sipas tij, për probleme teknike dhe ndryshimeve në projekt.
"Në tërësi afatet janë mbajtur, ka patur momente shmangiesh, por mundësia e kompensimit, kohës së humbur, është e plotë. Një nga kompanitë që ka këtë trajektore dhe përgjegjësinë më të madhe se ka urat, është zotuar të shpejtojë punimet," thotë kryeministri Berisha.
Probleme pronësie ka dhe në segmentin Rrëshen –Kalimash, madje banorët thonë se atyre u rrezikohet edhe jeta nga punimet dhe plasjet e eksplozivëve.
"Këtu punohet 24 orë, pa ndërprerje. Këtu ka pluhur, tronditje sa që dhe fëmija në djep nuk fle 24 orë, pasi zhurmat janë aq të rënda saqë nuk durohen", thotë një prej banorëve.
Në këtë segment punon konsorciumi amerikano-turk Becthel-Enka, që po ndërton dhe veprën më të madhe të gjithë korridorit, Tunelin e Kalimashit 5,5 km me dy galeri. Ky segment që ka përveç tunelit dhe një pjesë të madhe të rrugës dhe ndërtimin e 27 urave, tani ka festuar dhe përfundimin e 50% të punimeve në gjithë projektin e fituar. Ky është dhe segmenti më i përfolur.
Opozita vazhdimisht ka akuzuar qeverinë se ka abuzime në dhënien e tenderit, madje ish-ministri i transporteve Lulzim Basha është pa imunitet parlamentar dhe nën hetim për tenderimin e rrugës. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së deputeti Erion Braçe thotë se firma në fjalë ka fitur në 7 muajt e vitit të kaluar 86 milionë euro dhe në total nga 418 milionë euro, 150 milionë ajo i ka të fituara.
"Kësaj vlere i janë shtuar së fundi edhe 135 milionë euro, shtesë kontrate, kërkuar nga kompania Becthel-Enka, pra vlera po shkon në 560 milion euro dhe kjo jo përfundimtare, ndërkohë që fitimi po kap trendin e 200 milionë eurove. Ky është fitimi patriotik që ka një normë të llahtarshme," thotë Erion Braçe.
Kryeministri Berisha dhe qeveria kanë mbrojtur vazhdimisht dhënien e tenderit për firmën Bectel-Enka, sipas kryeministrit firma në fjalë zbaton një ndër projektet më të vështira në Europë.
"Çdo kompani tjetër përveç Becthel-Enka, do të ishte e vështirë," thotë Berisha.
Ende nuk ka një faturë përfundimtare për gjithë korridorin, pasi ka ndryshime të vazhdueshme në projekt. Gjithë korridori është 170 km i gjatë dhe pritet që t i sjellë kosovarët për dy orë e gjysëm në bregdet. Padyshim që tuneli i Kalimashit tërheq vëmendjen më të madhe. Tashmë është bërë 5 km galeri nga 11 km gjithsej. Vizitorët e rrallë shprehen se një vepër e tillë është madhore. Unë pyeta pas vizitës në tunel rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kulen, se çfarë kishtë parë në brendësi të malit.
"Është vërtetë një vepër madhore që të bën të ndihesh krenar, të bën të përulesh përballë shkencës, përballë vullnetit njerëzor, që të ndihesh mirë që punon në Universitet sepse në fund të fundit ato janë produkt i universiteteve, i shkencës, i kërkimit," thotë Dhori Kule.
Jonuz Hallaçi (BBC)
Ky lajm është publikuar: 08/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›