E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, asnjë gjurmë nga 38-vjeçarja e zhdukur, vijojnë kërkimet

KUKES – Policia dhe familjarët vazhdojnë kërkimet e pandërprera, edhe pse deri tani nuk ka asnjë shenjë të gruas 38-vjeçare, e zhdukur në mënyrë misterioze një javë më parë.

“Vazhdojnë kërkimet në Tiranë, por edhe në zona të tjera ku mund të dyshohet, por deri tani nuk është vërejtur ndonjë shenjë e gruas 38-vjeçare të zhdukur mesditën e 15 marsit”- deklaroi nëndrejtori i drejtorisë së policisë së qarkut të Kukësit, Xhafer Elezi.

Pavarësisht kërkimeve të shtrira bregut të liqenit apo në fshatrat e rrethit të Kukësit, ku dyshohej se mund të gjendej e fshehur 38-vjeçarja, deri tani nuk është evidentuar asnjë shenjë e saj.

Po ashtu, asnjë shenjë e saj nuk është vërejtur edhe në Tiranë ku pati informacione se ishte parë pak ditë më parë. “Në lidhje me këtë ngjarje, kjo është situata, ndonëse vazhdojnë kërkimet, po deri tani pa rënë në ndonjë gjurmë të saj”, -thotë Elezi.

Nëna e 3 fëmijëve, Thëllënza Rexhmati, u zhduk mesditën e 15 marsit nga banesa e saj në katin e parë të një pallati të lagjes nr. 5 dhe deri tani nuk ka asnjë gjurmë të saj, ndonëse në hetime janë përfshirë edhe ekspertë të drejtorisë së përgjithshme të policisë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›