E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamtumirë Zija Xholit, themeluesit të Akademisë së Shkencave

Akademiku Zija Xholi

Një nga themeluesit e Akademisë së Shkencave shqiptare u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare. Bëhet fjalë për filozofin dhe studiuesin Zija Xholi, firmën e të cilit mbajnë shumë monografi e vepra studimore. Zija Xholi lindi më 25 prill të vitit 1923 në Korçë. Shkollën e mesme e kreu në Liceun Francez, ndërsa më vonë pati mundësinë të studiojë në ish-Bashkimin Sovjetik për Filozofi, në Universitetin Lomonosov, në mënyrë të shkëlqyer. Emri i tij renditet ndër themeluesit e parë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku ka dhënë një kontribut të gjerë. Kontributi i tij është i njohur edhe në fushën e mësimdhënies. Për rreth 15 vjet Xholi ka qenë dekan i Fakultetit të Filozofisë dhe Juridikut. Gjithashtu është bashkëthemelues i Universitetit të Prishtinës. Në fushën e botimeve ka lënë pas disa libra monografikë e studimorë. Në ceremoninë e lamtumirës morën pjesë miq e kolegë të tij dhe fjalën e rastit e mbajti një ndër kolegët e tij më të ngushtë, akademik Alfred Uçi. Duke iu drejtuar mikut të tij që u nda nga jeta, Uçi do të shprehej: Tani, në ditët e kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, ti Zija do të jesh i pranishëm me veprat e tua që ia kushtove Marin Barletit e Gjon Buzukut, Pjetër Budit e Pjetër Bogdanit, Naum Veqilharxhit, Naimit e Samiut, Jani Vretos e Pashko Vasës, Zef Jubanit e mendimtarëve të Rilindjes Kombëtare, Petro Nini Luarasit, vepra që dallohen për analiza të thella dhe shqiptarizëm të çmuar për edukimin e brezave të rinj… Ishe shembull demokrati tolerant dhe intelektual, i hapur ndaj ideve të reja. Jam i bindur se vepra jote shkencore e atdhetare do të çmohet e do të nderohet gjithmonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›