E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, "bllokohen" punimet për autostradën

Kompanitë raportojnë se kanë mbaruar punimet ndërkohë që firma supervizore pohon se ato janë ende duke punuar


Dublimi i urave nuk ka nisur ende të kryhet, edhe pse projekti duhet të fillonte më shtatë
KUKËS- Punimet për dublimin e urave në autostradën Kukës-Morinë nuk kanë filluar ende nga ana e kompanisë sllovene, megjithëse kanë kaluar dy muaj nga afati për fillimin e tyre.


Sipas Agjencisë së Prokurimeve Publike, fituesi i tenderit për dublimin e urave në autostradën Kukës-Morinë, kompania sllovene dhe ortakja shqiptare, duhej të fillonin punimet me datën shtatë korrik.


Por megjithëse kanë kaluar dy muaj, punimet ende nuk kanë filluar. Ndërkohë bëhet e ditur se është përzgjedhur kompania supervizore, që është një kompani shqiptare. Supervizori i mëparshëm i autostradës Kukës-Morinë si dhe urave me dy kalime ka qenë një kompani italiane.


Specialistë të kësaj kompanie kanë bërë të ditur se pas fitimit të tenderit sllovenët nuk kanë marrë asnjë masë për fillimin e punimeve, por janë mjaftuar vetëm me ardhjen e përfaqësuesve të firmës për të parë terrenin ku do të ndërtohen urat që do të dublojnë ato ekzistuese. Janë shtatë ura dhe viadukte që do të dublojnë ato ekzistuese që janë ndërtuar me dy kalime nga kompania maqedonase "Granit".


Vlera ofertuese që ka dhënë kompania sllovene ka qenë 6.5 milionë Euro (pa përfshirë TVSH-në) për lotin e parë dhe 6.45 milionë Euro për lotin e dytë ose rreth 3 për qind më pak se fondi limit i planifikuar. Kontrata për ndërtimin e urave në rrugën Kukës-Morinë është e ndarë në dy lote me një fond limit për lotin e parë me vlerë 6.85 milionë Euro dhe për lotin e dytë me vlerë 6.8 milionë Euro.


Afati i përfundimit të punimeve është 18 muaj, po në bazë të eksperiencave që kanë ndodhur me kontratat nga kompanitë ndërtuese, afati i dorëzimit të punimeve sigurisht do të jetë më i gjatë në kohë.


Dublimi i urave në aksin rrugor Kukës-Morinë ka lindur si nevojë e ndryshimeve në projekt, nga dy në katër korsi të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Kompania projektuese shqiptare e kishte bërë projektin me dy korsi, pasi me të tilla përmasa ishte edhe porosia e qeverisë së atëhershme. Por më pas projekti u ndryshua dhe kjo ka sjellë edhe zgjatjen e afateve për kompanitë ndërtuese.


Segmenti rrugor Kukës-Morinë ka në projekt shtatë ura, ndaj 29 urave që ka aksi Fushë-Dukagjin-Rrëshen si dhe 10 viadukteve që ka aksi nga Myç-Mamëzi në Fushë-Dukagjin.


Ura më e madhe në segmentin Kukës-Morinë është ajo pranë ish- uzinës së bakrit në Rexhepaj, 400 metra e gjatë dhe 50 metra e lartë. Kjo është ura më e madhe për nga gjatësia në të gjithë autostradën nga Miloti deri në Morinë. Ndërkohë që ura më e vështirë për nga ndërtimi do të jetë ajo që do të dublojë urën ekzistuese mbi liqenin e Fierzës në hyrje të qytetit të Kukesit. Projekti i kësaj ure ka përfunduar dhe pritet shpallja e tenderit për ndërtimin e saj.


Nga ana tjetër, punimet në aksin rrugor Kukës-Morinë ende nuk kanë përfunduar duke shkelur çdo afat që përmban legjislacioni shqiptar. Burime të kompanisë supervizore bëjnë të ditur se kompanitë ndërtuese kanë raportuar si të përfunduara punimet por në fakt vetëm dy prej firmave e kanë bërë realisht këtë gjë. Pesë firmat e tjera ende vazhdojnë të kryejnë punime në rrugë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›