E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti trondit Shqipërinë, 7 ballë në Peshkopi. Mblidhet Shtabi i Emergjencës

Lëkundje të fuqishme tërmeti kanë alarmuar banorët e shumë qyteteve mbrëmjen e vonë të së dielës. Sipas qendrës sizmologjike tërmeti ka qenë me fuqi 7 ballë me epiqendër në fshatin Gjoricë në juglindje të Peshkopisë, ndërkohë që i fortë është ndjerë në qytete të tjera, Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Kavajë, Berat.

Pas situatës së krijuar, pritet mbledhja e Shtabit të Emergjencës për të bërë bilancin e dëmeve dhe planin e masave që do të merren në ndihmë të banorëve, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti.

Lëkundja e parë është regjistruar në orën 23.49 të natës dhe ka zgjatur rreth 15 sekonda. Pas saj, janë regjistruar edhe 58 pasgoditje të tjera, me intensitet më të vogël, por që gjithashtu janë ndjerë.

Për fat nuk ka të dhëna për persona të lënduar, ndërkohë që dëmet kanë qenë të shumta, sidomos rreth epiqendrës. Kështu mësohet se në fshatrat e Peshkopisë shumë shtëpi janë plasaritur, ndërkohë që të tjera janë bërë thuajse të pabanueshme.
Dëme ka pasur në Bulqizë, në Shupenzë, Ostren, Zergan dhe Gollobordë, zona ku gjatë natës ka munguar edhe energjia elektrike.

Në Tiranë lëkundja është ndjerë deri në 5.4 ballë, ndërkohë që paniku ka mbërthyer sidomos banorët e kateve të sipërme të pallateve.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›