Kukës, mbytet në liqen 18-vjeçari
KUKES – Maturanti humb jetën duke u larë në liqenin e Kukësit. B.Muja u mbyt mesditën e djeshme në ujërat e liqenit, ndërsa kishte hyrë për t’u freskuar. Sipas shokëve të maturantit, nxënës në shkollën e mesme të përgjithshme “Qazim Shehu” të Shtiqnit, të mbledhur grup ata kishin vendosur të bënin një ditë plazh buzë liqenit të Kukësit. Viktima sipas dëshmive nuk ka ditur not, por ka menduar se mund të ishte cekëtinë. Por, menjëherë nga bregu, liqeni kishte thellësi, duke mos i dhënë mundësi shpëtimi 18-vjeçarit. Në ujë janë futur me shpejtësi shokët e tij, po pa mundur ta nxjerrin të gjallë. Ekspertët pohuan se vdekja e të riut kishte ardhur nga asfiksia në ujë, duke shënuar viktimën e dytë për këtë verë në qytetin e Kukësit.