E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramoz Ruçi, mesazhe për të votuar partinë e Berishës

Dritan Prifti 

Lexova sondazhin që financuan ambasadat amerikane dhe britanike dhe më erdhi keq që Partia Socialiste ishte 9% poshtë PD-së. Për fat të mirë e majta është përsëri fituese, duke marrë  parasysh rezultatin mbi 15% të LSI-së në rang kombëtar. LSI ka pësuar rritje në elektorat që në momentin e bërjes publik të vendimit politik të  Kryesisë së saj për të mos u konfrontuar me asnjë parti të majtë në fushatën zgjedhore, dhe pas konfirmimit që aleatët e vetëm të LSI pas zgjedhjeve janë PS, e majta dhe progresistët. LSI e ka përqendruar të gjithë fushatën e saj në komunikimin me qytetarët shqiptarë për programin e saj qeverisës. LSI ka vetëm Sali Berishën përballë dhe objektivi i parë i saj është ta nxjerrë Berishën në opozitë dhe rikthejë të majtën në pushtet.
Kurse, fatkeqësisht, Partia Socialiste në këtë fushatë duket e dyzuar dhe tejet e pasinqertë me votuesin e majtë. Në propagandën televizive ajo flet kundër Berishës, kurse punën në terren e ka orientuar vetëm kundër LSI-së. Nëse kjo është strategjia e politikës së re, unë mund të konfirmoj se kjo nuk ka ngjitur në popull. Sondazhi i amerikanëve dhe britanikëve tregon se PS-ja është forcë humbëse në zgjedhje. Të gjitha sondazhet tregojnë se PS-ja ka humbur rreth 9% të mbështetjes vetëm në 3 muajt e fundit. Politika e re nuk mund të jetë dyzimi politik, mungesa e sinqeritetit me votuesit, intrigat apo blerja me para në dorë e konkurrentëve politikë. 
Unë drejtoj fushatën e LSI-së në një nga qarqet më konkurruese të kësaj fushate. Eshtë qarku i dytë në Shqipëri për nga numri i votuesve dhe mandatet e deputetëve që ofron. Partia Socialiste ka vënë Gramoz Ruçin në krye të këtij qarku. Partia Demokratike ka vënë Sokol Olldashin. Vendosja e këtyre figurave, pa asnjë lidhje me Fierin, Lushnjën apo Mallakastrën, por të njohur si organizatorë të manipulimeve në zgjedhje, si njerëz të lidhur me grupe të dyshimta, tregon që partitë e vjetra nuk kanë zgjedhur lojën e ndershme për fushatë si politikën më të drejtë. Edhe Gramoz Ruçi dhe Sokol Olldashi janë hedhur në veprim. Ata kanë mobilizuar veç e veç krahët më agresivë të forcave të tyre politike, kanë mobilizuar ish-policë të larguar nga policia për abuzim apo korrupsion, kanë mobilizuar njerëz me të shkuar kriminale, kanë mobilizuar sa më shumë llum që mundin. Për Sokol Olldashin unë nuk habitem, sepse ai është ushtar i Berishës. Por me Gramoz Ruçin habitem shumë.
Gramoz Ruçi nuk mund të jetë një simbol i politikës së re në PS, por ai për shkak të eksperiencës 30-vjeçare në politikë, ka më shumë mend se përfaqësuesit e politikës së re. Ai duhet të këshillonte Edi Ramën për një politikë bashkëpunimi me LSI-në, sepse vetëm kështu e majta ka një të ardhme të sigurt, dhe vetëm kështu Berisha e ka të sigurt pensionin politik. Në fakt, Gramoz Ruçi po bën politikën më të pistë të mundshme përkundrejt LSI-së.  Çdo ditë unë marr informacione të ndryshme për bëmat e z. Ruçi.  Një ditë ai mbledh në Libofshë strukturat e PS-së dhe bën thirrje që njerëzit që nuk mund të votojnë për PS-në, t’i bëhet thirrje të votojnë për Berishën. “Vetëm LSI nuk duhet të votojnë”, - thotë shoku Gramoz. Këto thirrje janë përhapur në Fier, Lushnjë e Mallakastër dhe socialistët janë shumë të zhgënjyer nga kjo lloj politike e re. Njerëzit dëgjojnë Ilir Metën që në çdo emision televiziv bën thirrje për të votuar të majtën dhe deklaron se aleancat do jenë vetëm me PS-në, nga ana tjetër ata dëgjojnë Gramoz Ruçin që thotë: “Më mirë votoni PD-në e Berishës se LSI-në”. Papërgjegjshmëria e PS-së nuk qëndron vetëm këtu. Mungesa e sinqeritetit me një aleat do ishte gjë e vogël, nëse kjo nuk do shoqërohej me thirrje për të votuar Berishën. Mungesa e sinqeritetit do ishte gjë e vogël, nëse kjo nuk do shoqërohej me një strategji për të asgjësuar LSI-në. Gramoz Ruçi udhëton kudo me një thes me para me vete. Ai gjysmën e ditës në Fier, Lushnjë e Mallakastër e kalon duke takuar përfaqësues të LSI-së, në parti apo pushtetin vendor, dhe duke i bërë atyre oferta marramendëse me para në dorë për të kaluar me PS-në. Ofertat shkojnë 100.000 euro për një kryetar komune, deri në 1 milion euro për një kryetar bashkie. Ku i gjen Gramoz Ruçi kaq shumë para? Pse është kaq e rëndësishme për PS-në që të blejë strukturat dhe përfaqësuesit e LSI-së me kaq shumë para? Edhe javën e fundit kanë vazhduar këto pazare të pista. Janë ofruar shifra të mëdha për strukturat tona në Mallakastër. Janë kërkuar takime të tyre me Edi Ramën për të tjera premtime. Në ndonjë rast ka dalë emri dhe fytyra e bosëve të Tajvanit te “Parku Rinia” në Tiranë, në ndonjë rast ka dalë fytyra e ndonjë ish-polici të inkriminuar. 
Para pak ditësh Gramoz Ruçi bleu me para dhe kërcënime kryetarin e Bashkisë së Lushnjës, përfaqësues i LSI-së. Në fillim takimet me Albert Sanxhakun i bënte një këshilltar i Ramës me emrin Ergys. Pastaj stafetën e mori Gramoz Ruçi. Ai kërcënoi Albert Sanxhakun me një kasetë që PS-ja kishte për atë. Kishte një kasetë porno në një motel të Tiranës, por me sa flitet dhe një informacion diskretitues nga “City Hotel” në Freighburg të Gjermanisë. Njerëz afër Sanxhakut thonë që i është paguar para e madhe, dhe i është premtuar kreu i PS-së Lushnjë pa konkurrim. Qyteti i Lushnjës nuk e ka mirëpritur këtë lëvizje të pamoralshme, e cila nuk ka asgjë parimore, por vetëm prapaskena të pamoralshme në sfond. Të gjithë kryetarët e komunave apo bashkive të LSI-së në qarkun e Fierit janë kontaktuar nga ekipi i Ruçit, duke iu bërë oferta dhe kërcënime. Këto metoda nuk janë të moralshme, por këto metoda nuk i shërbejnë besimit reciprok për një qeverisje koalicioni dhe të shëndetshme nesër. Këto metoda nuk janë politikë e re. Në fakt këto nxjerrin lakuriq para popullit ata që kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë siguruar miliona euro nga korrupsioni.
Partia Socialiste me këto metoda po konsumohet më tej në sytë e votuesit. Politika e re për ndryshim – slogani i PS-së në këto zgjedhje, nuk mund të kuptohet kurrsesi kështu nga votuesit. Në terren, nëpër fshatra dhe qytete, ky slogan po përkthehet si Politikë e vjetër për ndryshim për keq.
Në Fier dhe Lushnjë votuesit kanë zhgënjim të madh me të dyja partitë e vjetra, PD dhe PS. Këto parti me listat e tyre për deputetë kanë ofenduar pa masë elektoratin. Po të shohim 6 emrat e parë të listave, PD dhe PS, kanë vetëm 1 fierak dhe 1 lushnjar.  Katër kandidatët e tjerë janë persona të importuar si Gramoz Ruçi e Bashkim Fino, apo Sokol Olldashi etj. LSI tek 6 emrat e parë i ka të gjithë përfaqësues të Fierit dhe Lushnjës. Partitë e vjetra mendojnë se populli do të votojë për kandidatë të importuar që ndryshojnë zonat çdo 4 vjet, për njerëz që marrin votën dhe zhduken, sepse zgjedhjet e tjera do të kandidojnë në një zonë tjetër. Duke i shtuar kësaj sjellje arrogante të PS-së dhe thirrjet për të votuar Berishën, elektorati do vazhdojë të distancohet nga partitë e vjetra, që shiten si të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›