E Diel, 1 Nëntor 2026

Barazon Shqipëria, Vila dhe Hyka kalojnë testin e Kuzhe

 

Leonard Karaj

Barazim që nuk kënaq tifozët dhe ca më pak trajnerin Josip Kuzhe. Megjithatë kroati është shprehur i kënaqur me lojën e disa futbollistëve të rinj si Emiliano Vila dhe Jahmir Hyka. I konfirmuar tashmë një Ansi Agolli në formë të shkëlqyer, dobët Besart Berisha dhe nuk funksionoi dyshja Kapllani-Salihi. I pari nuk arriti të jetë asnjëherë rrezik për portën e gjergjianëve ndërsa Salihi nuk gjente hapësirat e duhura për të depërtuar në zonën gjeorgjiane. Veç kësaj sërish eksperimentim nga ana e Kuzhesë: Vangjeli në rolin e një shkatërruesi, teksa kthehet prapa në rolin e tij natyral, Beqiri dhe bën fantazistin Emiliano Vila. Nuk mbaron me kaq. Në pjesën e dytë Kuzhe provon për gati 20 minuta edhe me një sulmues të vetëm i mbështetur nga pesë mesfushorë, ndër ta tre gjysëm-sulmues.  
Atmosfera
Një “Qemal Stafa” thuajse i zbrazët, tipik për një ndeshje të nivelit mesatr të kampionatit shqiptar të futbollit. Interesimi i tifozëve kuqezinj për këtë takim ishte i pakët edhe pse federata dhe presidenti Duka bënë thirrje për mbështetje të ekipit kombëtar. Plogështisë në stadium i dha një dorë edhe goli i shpejtë ië shënuar nga “miqtë” çka uli edhe entuziazmin e atye që gjendeshin në stadium. Vetëm në disa raste të paktë që skuadra jonë iu afrua portës u dëgjuan brohoritjet e ultarsve kuqezinj.
Ndeshja
Kuper pati deklaruar që më parë se për të konsiderohej si një ndeshje normale dhe e rëndësishme ndaj kjo dukej edhe në rreshtimin që i kishte bërë skuadrës së tij. Një Gjeorgji e mirë-vendosur në fushë që zbriti disa herë rrezikshëm para portës së Ujkanit. Madje që në rastin e parë mundën të realizonin me anë të sulmuesit Viliashvili. Ndërkohë kuqezinjtë tentuan disa herë me anë të Salihit dhe Kapllanit që të barazonin rezultatin por ca për pafatësi ca edhe për rreshtim shumë të mirë dhe të ngjeshur të kundështarëve nuk mundën të shënonin. Vlen për tu përmenduar në pjesnë e parë një rrëmujë para portës gjeorgjiane ku Salihi, Kapllani dhe Vila gjuajtën njëri pas tjetrit dhe top përplasej sa te mbrojtësit e te portieri.
Pjesa e dytë
Që në minutën e 46-të mbetën në dhomat e zhveshjes Gjergji Muzaka dhe Armend Dallku për ti lënë vend Dorian Bylykbashit dhe besart Berishës. Një Shqipëri tepër ofensive e cila realisht nis ta tregojë vetën vetëm pas minutës së 55-të. Dhe në fakt sapo prek topin e parë Jahmir Hyka shpërthen në zoënnë gjeorgjiane por gabon të pagabueshmen duke gjuajtur në evdn që të jepte një asist të artë për Salihin. Më pas vazhdojnë sulmet e skuadrës sonë ku më së shumti shihen inkursionet e Ansi Agollit në krahun e majtë teksa çalon Berisha në krahun e djathtë, pozicion të cilin realisht nuk arrin të mbulojë si duhet. Atëherë kur gjeorgjianët po mbylleshin së tepërmi në zonën e tyre vjen edhe goli i barazimit. Një silur i Ansi Agollit nga 40 metra, topi në fillim prek në tokë duke u bërë edhe më i rerzikshëm për portierin kundërshtar dhe përfundon në rrjetë. 20 minutëshi i fundit flet vetëm për kuqezinjtë të cilët në bënë realisht të kundërtën e ndeshjes me Portugalinë, duke luajtur hapur dhe duke kërkuar golin deri në fund të takimit.

Kuzhe: S’fituam ndeshjen por fituam lojtarë

Josip Kuzhe është i pakënaqur nga barazimi i djeshëm, ndonëse nuk i ka kursyer elozhet në adresë të disa të rinjve të Kombëtares. Pas ndeshjes, ai pohoi se kishte dashur ta fitonte me patjetër atë ndeshje, por sipas tij goli i pësuar që në minutat e para, e tronditi ekipin. “Nuk më kënaq barazimi. Unë dua të fitojmë çdo ndeshje, sepse kështu krijohet mentaliteti i duhur – tha Kuzhe pas miqësores – Krijuam shumë volum loje, por duke qenë se një pjesë e madhe e të rinjve nuk kishin luajtur përkrah njëri-tjetrit mjaftueshëm, kjo solli edhe pak shpërqendrim në fillim. Përveç kësaj goli i pësuar në minutat e para na çorientoi disi. Në pjesën e dytë arritëm të luanim më mirë, madje edhe të ishim më kërcënues. Shënuam një gol dhe mund ta kishim fituar ndeshjen, por duhej të ishim treguar më të saktë para portës”. Kuzhe ka mbetur i befasuar që rivali i tij, Kuper kishte hedhur lojtarët më të mirë në fushë. “Të mos harrojmë se ne luajtëm me një ekip fare të ri dhe pa shumë përvojë. Na mungonin lojtarët kryesorë, por në fund të fundit ky ishte edh qëllimi i ndeshjes, të provonim të rinjtë. Ndryshe nga ne, gjeorgjianët hodhën në fushë futbollistët më të mirë që kishin në dispozicion dhe për këtë arsye mendoj se ne bëmë një paraqitje të mirë”, ka shtuar tekniku kroat.

Shqipëri-Gjeorgji 1-1

Shënues: 59’ Agolli, 2’ Valishvili
Gjyqtarë: Aleksandër Stavrev (kryesor)
Marjan Kirovski e Lubomir Kërstevski (anësorë)
Shqipëria: Ujkani, Beqiri, Dallku (Bylykbashi 46’), Curri, Vangjeli (Lila 54’), Muzaka (Berisha 46’), Vila (Teli 80’, Bulku, Agolli, Salihi (G.Lika 71’), Kapllani (Hyka 54’)
Trajner: Josip Kuzhe
Gjeorgjia: Bedashvili, Lobjanidze, Kashia, Pokahdze, Seturidze, Razmadze, Iashvili, Dvalishvili, Merebashvili, Kizanshvili, Kobiashvili
U aktivizuan: Alekzidze, Klimiashvili, Daushvili, Martsvaladze
Trajner: Hektor Kuper

Kuper: Shqipëria, e fortë dhe e shpejtë

Trajneri i Gjeorgjisë, Hektor Kuper, është dukur i kënaqur nga barazimi i marrë dje ndaj kuqezinjve tanë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe njëkohësisht është shprehur optimist për vazhdimësinë e skuadrës që ka marrë të drejtojë. “Shqipëria ishte ekip i mirë. Më pëlqeu. Kishte lojtarë të fuqishëm dhe të shpejtë. Sulmuesit ishin mjaft të shpejtë dhe mund të them se prodhuan një takim më të mirë se sa ne. Rrezikuan më shumë dhe pashë që kanë një mesfushë vërtet të mirë. E mbajnë mirë topin dhe në tersi lojtarët e saj ishin të shpejtë. Luajti më përpara se ne dhe në këtë drejtim kam fjalë të mira për ekipin shqiptar. Pastaj mos harrojmë se edhe ndaj portugezëve shqiptarët luajtën mjaft mirë, çka tregon se kanë një ekip nacional të mirë e premtues”, tha Kuper, që duke u ndalur te problemet e skuadrës së tij shtoi se ka vështirësi të natyrave të ndryshme, sidomos në seleksionimin e lojtarëve dhe në ndërtimin e një skuadre që të jetë realisht përfaqësuese e denjë.

Grupi 1/ Ndeshjet dhe renditja

Ndeshjet
Mbrëmë
Suedi-Maltë        4-0
Shënues: 22' Källström, 52', Majstorovic, 56' Ibrahimovic, 58' Berg 
09.09.2009   
Shqipëri-Danimarkë
14.10.2009   
Suedi-Shqipëri
Renditja
Ekipi    ND    F    B    H    GSH    GP    Pk
Danimarka    6    5    1    0    13    2    16
Hungaria    6    4    1    1    8    2    13
Portugalia    6    2    3    1    8    4    9
Suedia    6    2    3    1    6    2    9
Shqipëria    8    1    3    4    4    8    6
Malta    8    0    1    7    0    21    1

Karabeci, “njeriu gol” ndaj gjeorgjianëve “të vegjël”

Në një temperaturë e lartë (rreth 35 gradë) e  një “Niko Dovana” thuajse e zbrazët, Shqipëria U-21 nuk shkoi më shumë se një fitore 1-0 me homologët e saj nga Gjeorgjia. Goli i vetëm i takimit u realizua në minutën e 80-të nga heroi i takimit, Erando Karabeci, pas një gjuajtjeje me finesë të sulmuesit të Partizanit, teksa topi u përplas fillimisht në shtyllën pingule, për të pushuar më pas në rrjetën gjeorgjiane. Ndeshja nuk pati nivel të lartë, kjo edhe nga koha e zhvillimit të saj (takimi nisi në orën 16:10), për t’u dhënë mundësi stafeve e lojtarëve për të ndjekur në “Qemal Stafa” përplasjen e kombëtareve A, Shqipëri-Gjeorgji (ora 19:00). Loja u ndërpre dy herë gjatë dy pjesëve (në minutat 23 e 67) nga gjyqtari ndërkombëtar Albano Janku, duke u dhënë mundësi lojtarëve për tu freskuar e marrë lëngje. Shqipëria U-21 në përgjithësi shfaqi më shumë dëshirë për të administruar takimin e më pas edhe rezultatin, që rezultoi edhe me fitoren e dytë në pesë ndeshje historike me Gjeorgjinë U-21 (3 fitore). Në fund trajneri Bushati vlerësoi lojën e më të rinjve të grumbulluar enkas dhe për herë të parë me këtë skuadër.

Shqipëri-Gjeorgji 1-0
Shënues: Karabeci 80’
Gjyqtarë: A.Janku, G. Qirici, E. Miho
Shqipëria: Moçka, Arbëri, Malota, Bicaj, Samina (Kaçuli 88’), Lilaj, Zeqiri (Gava 46’), Malindi (Thana 46’), Karabeci, Hysa, Januzi (Hithi 90’)
Trajner: Artan Bushati
Gjeorgjia: Kvaskhvadze, Tomashvili, Totadze (Adamadze 80’), Khidesheli (Khvrtsilava 88’), Kakubava, Nemsadze, Teimuraz (Adamadze 76’), Maizvradze (Kbiltsetskhlashvili 46’), Tarkhnishvili, Targamadze (Ivanshvili), Pantskhava (Bolkvadze 46’)
Trajner: Kakhaber Tskhadadze

Deklaratat e trajnerëve

Trajneri gjeorgjian:Shqipëria ishte më e fortë
“Provuam shumë lojtarë që janë e ardhmja e futbollit gjeorgjian. Në tërësi jam i pakënaqur për mënyrën se si luajtëm, ndonëse me pak kujdes edhe mund të barazonim. Ekipi shqiptar na ndëshkoi në momentet që po mendonim se si të shënonim, prandaj edhe bëra mjaft ndryshime në lojën sulmuese. Numri 15 Barabadze ishte një alternativë të cilët e shfaqa atëherë kur më nevojitej. Në pjesën më të madhe të lojës luajta me tre sulmues, duke kërkuar që ekipi të shprehet para portës dhe mundësisht të shënonte. Një minutë pas pësimit të golit rrahëm edhe shtyllën, por nuk mundëm të barazonim”.
 
Bushati: Gava dhe Lilaj kalojnë klasën
“Aplikuam skemat e reja të daljes nga krahët drejt qendrës, ku në një masë të konsiderueshme i realizuam. Kjo nuk është forma reale e ekipi, pasi pres më tepër. Paraqitje të mirë bëri futbollisti Orgest Gava, që meriton të mbahet afër. Jonuzi është ndër lojtarët më taktikë që ka ekipi. Vendoset mirë dhe më vjen keq që nuk shënoi pasi iu bënë tri ndeshje që e njeh rrjetën. Na mungonin tre futbollistë titullarë si Hyka, Vila dhe Veliu. Do ti vlente perspektivës së ekipit përfaqwsues dy mbrojtësit e qendrës shtatlarët Malota dhe Bici. Por ndërkohë vazhdon të surprizojë futbollisti i Tiranës Sabian Lilaj, që organizon shumë mirë lojën, markon saktë dhe lëviz pa pushim”.

Pikante

Atmosfera
Rreth një mijë tifozë ka pasur në fillim të ndeshjes në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Në të vërtetë kjo është ndër herët e pakta që Kombëtarja ndiqet nga një numër kaq i paktë shikuesish nga shkallët e stadiumit. Emri i kundërshtarit dhe fakti që ishte miqësore ndikoi në interesimin e paktë rreth kësaj ndeshjeje.
“Senatorët”
Cana, Lala, Murati, Hidi, Duro etj, e ndoqën duelin e djeshëm miqësor ndaj gjeorgjianëve nga tribuna VIP e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, duke shijuar të bërit tifozllëk për ngjyrat kuqezi.
Elvin Beqiri
Mbrojtësi shkodran, Elvin Beqiri, për herë të parë në karrierën e tij mbajti dje shiritin e kapitenit të përfaqësueses. Në mungesë të lojtarëve titullarë, Beqiri ishte futbollisti i vetëm nga “Garda e vjetër” që i takoi të ishte lideri ndaj edhe ai sikundër Ujkani, Agolli, Curri dhe Bulku luajtën për 90 minuta pa ui zëvendësuar nga trajneri Josip Kuzhe.
Banderolat
Edhe tifozët kuqezi janë mërzitur nga aktivizimet në Kombëtare. Në banderolat e tyre ata ironizonin mosaktivizimin e Jahmir Hykës. Në një prej tyre shkruhej: “Hyka në stol, luajnë gjyshëritt”. Hyka u aktivizua në këtë takim si zëvendësues nga minuta e 53-t e takimit.
Sefa e Bakaj
Dy nga lojtarët më të talentuar të kampionatit tonë, Elis Bakaj dhe Jetmir Sefa, nuk kanë qenë fare prezent në listën e 18-shes së hartuar nga stafi i Kombëtares dhe kjo ka lënë një shije të hidhur  jo vetëm te dy të rinjtë, por edhe dashamirësit e shumtë kuqezi. Në një sfidë të tillë miqësore, Kuzhe i la jashtë dy talentet e Superiores.
Tre përkthyesit
Trajneri i ekipit tonë përfaqësues, Kuzhe, ka pasur mbrëmë një numër të madh përkthyesish, që mundoheshin t’i sqaronin të gjitha ato që ndodhnin e thuheshin. Madje në ndonjë rast përkthyesit flisnin njëkohësisht, sa habitën vetë teknikun, duke ia komplikuar më shumë situatën atij.
Skela në stol
Kapiteni i vërtetë i skuadrës tonë kombëtare, Ervin Skela, ishte dje në stolin e rezervave. Mesfushori fantazis i përfaqësueses nuk u aktivizua për asnjë moment në takimin e djeshëm.
Vangjeli
Mbrojtësi kuqezi, Kristi Vangjeli, luajti dje për herë të parë që nga aktivizimi në Kombëtare në rolin e shkatërruesit, çka vërtetoi në mënyrë të prerë fjalët e trajnerit Kuzhe se kjo sfidë do të kishte karakter eksperimental.

Para takimit gjeorgjianët “gjuajnë” femra nga blloku

Leonard Karaj

Një xhiro nga blloku duket se nuk u ka bërë shumë mirë gjeorgjianëve. Për më tepër, disa orë para një ndeshje që edhe pse miqësore u cilësua si e rëndësishme nga të dy trajnerët. Në grupime te vogla, por gjithsesi në një kolonë, që binte në sy lehtësisht nga rutina e përditshme e njerëzve që popullojnë çdo ditë këtë pjesë të Tiranës, kombëtarja e Gjeorgjisë pati nisur eksplorimin e kryeqytetit. Të veshur me kostumin e tyre sportiv bluzë të kuqe me tuta të zeza tamam sikur të ishin pjesëtarë të kombëtares shqiptare, grupi me në krye teknikun Hektor Kuper përshkoi mes përmes bllokun duke shijuar më së shumti të ecurën gati të nxitimthtë dhe aty këtu ndonjë koment për femrat shqiptare, të shumta në atë orë në rrugët dhe kafenetë e kësaj lagjeje.
Femrat
Nuk kuptojmë asnjë fjalë në gjuhën gjeorgjiane por komentet plot të qeshura dhe shikimet e valëzuara shprehin qartazi ngazëllimin e futbollistëve të kësaj kombëtarje për çdo vajzë (ose grup vajzash) që kalonin aty pranë, nën “hundën” e tyre. Atëherë u afrohemi the i pyesim (në anglisht kuptohet) lidhur me Tiranën dhe atë çka ata shikojnë. “Shumë zhurmë dhe trafik, - thonë, por edhe shumë femra ta bukura ama”, pohojnë duke qeshur edhe vazhduar komentet në gjuhën e tyre. Por ka prej tyre që bëjnë edhe moskokëçarësin. Me kasetofon në vesh ata duket sikur nuk u bën përshtypje asgjë, as kur ndonjë koleg mundohet t’u tërheqë vëmendjen. 
Inter
Më i shkujdesur dhe gati si i panjohur, me një bluzë të kuqe dhe tuta të zeza treçerekëshe, që dallon nga të tjerët, ecën Kuper. Thatik dhe më i gjatë nga ç’na duket në TV, trajneri argjentinas ngazëllehet më shumë kur kalon para një pike basti. Në derën e saj një Ibrahimoviç sa gjërë e gjatë me fanellën e Inter dhe menjëherë dy kolegët nisin ta ngacmojnë. Natyrisht, Kuper me Ibra-n nuk kanë ndonjë lidhje (argjentinasi nuk drejtonte këtë skuadër kur suedezi u vesh zikaltër) por fakti se ka drejtuar Interin për dy vjet 2001-2003, ka bërë që kolegët t’ia nisin nga komentet. Më pas xhiroja gjeorgjiane vazhdon në parkun “Rinia” përballë Taivanit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të përfunduar më pas në hotel “Sheraton”, rezidenca e tyre për dy ditët e qëndrimit në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›