Në Borsh, ku boom-i i turizmit frenohet nga ligji për tokën
Nga i dërguari ynë,Ferdinand Dervishi
“Ejjj o njerëz, këtu jemi në Booorsh, në Borsh!” Britma përsëritëse që del nga goja e një të riu emigrant në Greqi shoqërohet me kredhje pllaquritëse në ujin e kristaltë të detit. Duke e shqiptuar fjalën “Borsh” sikur të donte të mburrte një ëmbëlsirë gjithë lëng, apo një vend me bukuri përrallash, ai duket sikur u tregon shokëve se në atë vend ku po zhytet ka pronësi të pakufi edhe mbi detin, edhe mbi tokën, edhe mbi ajrin. Një pronësi e padiskutueshme, e trashëgueshme, e patjetërsueshme qyshkur ka qenë vocërrak. Më të majtë britmat humbasin tej, pasi nuk gjejnë asnjë çadër plazhi të hapur, ndërsa në të djathtë përzihen me trokitjen e çekanëve që ndërtojnë lokalin provizor me dërrasa të një biznesmeni nga Tirana. Pas shpine, në brezin e dytë, të njëjtët tinguj filtrohen nga kallamat që rrethojnë lokalin më të afërt dhe mbeten vërdallë në ajër, pa mundur të prekin e trazojnë ato retë e bardha që qëndrojnë prej disa ditësh pezull përmbi fshat...
Sezoni turistik ende nuk ka nisur në Borsh. Jo ngaqë qershori ka mbërritur i ngarkuar me re, por sepse shqiptarët nuk janë mësuar ta nisnin kaq herët. Më së shumti ata janë mësuar të prenotojnë për 15 qershorin, por korriku e gushti mbeten më të preferuarit. Ndërsa ndërtimi i rrugës së re me dy korsi pritet të sjellë një fluks jo të zakontë turistësh. Një e vërtetë e pranuar që shoqërohet në të gjitha rastet me tundje mohuese të kokës: “Nuk mund të përballojmë më shumë se një vit më parë. Pak ka influencuar edhe rruga e re. Sepse neve na ka prerë krahët ligji për pronësinë e tokës dhe dimë të rrëfejmë shumë raste kur djemtë tanë emigrantë nuk kanë mundur të investojnë këtu, duke i çuar të hollat dëm në blerje banesash të bollshme në shtetet fqinje ku punojnë”.
Ligji që mban peng Borshin
“Zhvillimin e mban peng shteti. Ne jemi një popull i çuditshëm këtu në Borsh, sepse jemi të pasur ngaqë kemi tokë dhe jemi njëkohësisht të varfër, sepse nuk e shesim dot. Sepse tokën edhe e kemi tonën edhe nuk e kemi”. Ky është prezantimi përzhëlitës i Hito Lalës, pronar i një lokali në bregun jugor të Borshit. Përzhëlitës, sepse ai e lëshon të gjithë shqetësimin që në fillim të bisedës. Por nuk është vetëm Hitua, i cili ushtron nga pak edhe zanatin e vlerësuar të peshkatarit, që shqetësohet nga ky realitet në Borsh. Pothuaj të gjithë banorët, që tashmë ia kanë arritur të ndërtojnë garsoniere apo hotele të varieteteve të ndryshme, kanë kryefjalë të të gjitha halleve pikërisht problemin e pronësisë mbi tokën.
“Të gjitha problemet kanë nisur me ndarjen e tokës sipas Ligjit të njohur 7501 të kohës së Ramiz Alisë”, thotë Isak Fisniku, një nga banorët autoktonë. Sipas shpjegimeve, mbi tokën që u ishte ndarë banorëve pa asnjë dallim me anë të këtij ligji, askush nuk kishte të drejtë të ndërtonte. “Ju e shikoni se si kemi ndërtuar pranë shtëpive të vjetra, se si kemi ndërtuar sipër tyre, se si jemi zgjeruar me frikë anash, para e mbrapa”, rrëfen Hito Lala, duke përdorur gishtin tregues për të bërë ilustrimin e fjalëve.
Me pak fjalë, pikërisht problemi i pronësisë mbi tokën mban peng zhvillimin e shpejtë të zonës, përkundër, sipas banorëve, do të mjaftojë vetëm 3 vjet që boom-i i ndërtimeve të kthejë Borshin në një qendër të pakrahasueshme turistike. “Mjafton që të lejohet shitblerja e tokës dhe të jepen leje ndërtimi dhe faqja e Borshit ka për të ndryshuar si me magji. Sepse ai që ka mundësi do tentojë të ndërtojë hotelin më të bukur, ndërsa ai që nuk ka të ardhura do të shesë një pjesë të tokës dhe me shumën e përfituar do të investojë në pjesën tjetër për turizëm. Ndërkohë edhe ai që do të blejë tokë në Borsh, do të ndërtojë sërish me qëllim turistik, qoftë për të pushuar me familjen e vet. Kjo do të ishte një zgjidhje për ta çliruar këtë zonë, për t’i çuar gjërat atje ku duhet të jenë”, flet me pamje entuziaste Hito Lala. I njëjti rrëfen gjithashtu edhe disa histori trazuese, sipas të cilave, shumë djem të rinj nga emigracioni, banorë të zonës, kanë ardhur në Borsh me xhepin plot për të investuar, por duke parë se risku është i madh dhe se ligji nuk të lejon, janë kthyer mbrapsht në shtetet fqinje ku jetojnë, duke i groposur të hollat në blerje shtëpish banimi, apo hyrjesh të shtrenjta.
Optimisti
Por në qendër të Borshit gjendet të paktën një optimist. Quhet Fuat Mati, ndërsa të gjithë e thërrasin Baçi. Është i ri dhe të jep përshtypjen se e merr jetën lehtë. Thotë se është bashkëpronar i lokalit në qendër të fshatit, atij lokalit emblemë të Borshit, që i kalon uji i burimit nga poshtë. Njëkohësisht, Baçi rrëfen se është edhe pronar i një objekti katërkatësh me destinacion turizmin familjar. “Lëshoj me qira 12 ambiente, garsoniere dhe suita. Tani jam duke i dhënë dorën e fundit lyerjes me bojë dhe meremetimeve të tjera, për t’i bërë gati për sezonin e korrikut dhe të gushtit. Ndërsa çmimet janë sipas sipërfaqes së lëshuar me qira. Garsonierat që kanë edhe ballkon, i lëshoj për 35 mijë lekë në 15 ditë, ndërsa suitat, që përbëhen nga dy dhoma, i lëshoj për 55 mijë lekë”, shpjegon Baç Mati, duke lëvizur me ngathtësi llërët e përveshura, përfund të cilave duart kanë në gjithë sipërfaqen e brendshme ca kallo të përmasave të pazakonta.
“Sivjet po përgatitemi për fluks. Sepse që para një viti, kur u hap traseja e rrugës së bregut, fshati nisi të ndërtojë me shpejtësi të shtuar. Dhe mesa di unë, vetëm gjatë këtij viti, pikërisht për shkak të rrugës, janë ndërtuar rreth 250 garsoniere të reja si dhe disa lokale. Por kapaciteti i Borshit përsëri mbetet i vogël, pasi numri total i ambienteve, nga garsonierat te suitat luksoze, është rreth 600”, rrëfen Baçi, duke shpjeguar se njohuri të tilla i disponon edhe për shkak se ai vetë është edhe anëtar i Këshillit të Komunës. Por kur fjala vjen te pronësia e tokës dhe lejet e ndërtimit, Baçi sërish bashkohet me të gjithë të tjerët. “Do të ketë një boom të pazakontë turistik nëse zgjidhet problemi i shitblerjes së tokës. Por jemi shumë mbrapa se edhe studimi urbanistik nuk u mor parasysh një vit më parë nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit”, shpjegon njeriu që duket e ka mendjen më shumë të rikthehet te puna nga ku u shkëput.
“-Sa prisni të fitoni këtë vit nga ambientet e lëshuara me qira?”
“-Po arrita të kap 10 mijë euro, kam për t’u ndier mirë. Ndërkohë jashtë sezonit, po fitova 300 mijë lekë, do të thotë se më ka ndihur fati”, i përgjigjet pa asnjë ngecje Baçi pyetjes së sikletshme. Një përgjigje e lëshuar sikur ta kishte në majë të gjuhës, duket llogari e bërë shpesh në mendjen e tij. Më tej biseda shtrohet dhe Baçi me një qetësi dhe oratori të pazakontë, ku ngre krye theksi i shqipes si nga Vlora, nis të mburrë Borshin. Thotë se Borshi është vendi më i mirë për plazh në të gjithë Shqipërinë, se edhe në Greqi e gjetkë ku ka shkuar nuk ka parë një plazh kaq të bukur, se në Borsh nuk ka përse të blihet ujë për të pirë, sepse atë mund ta marrësh të pastër drejt e një çezme, se në Borsh nuk ka nevojë për kondicionerë, pasi bën fresk, se me ndërtimin e rrugës edhe ata turistë që nuk kanë preferuar më parë, do të trokasin, se pak më tej, në Himarë shumë shqiptarë e kanë të rëndë atë punën e gjuhës, kur dëgjojnë greqisht e të tjera të ngjashme. Një refren i njohur i këtyre anëve. Sepse këta njerëz krenohen që kanë lindur në Borsh, që jetojnë në Borsh, që kanë biznese në Borsh. Një refren i njëjtë nga mëngjesi në darkë, krejt i ngjashëm me atë të atij të riut emigrant që zhytej në det duke bërtitur: “Ejjj o njerëz, këtu jemi në Booorsh, në Borsh...”
3.2 km
Është i gjatë plazhi i Borshit. Rëra e imët mungon, plazhi përbëhet nga zhavorri i imët, por deti kristal i pastër e kompenson këtë
600 garsoniere
dhe suita janë të gatshme në Borsh në pritje të turistëve. Kushtet që ofrojnë pasqyrohen në çmimin e secilës
250 garsoniere
Janë ndërtuar gjatë vitit të fundit në Borsh vetëm sepse banorët kanë vlerësuar shtimin e fluksit për shkak të rrugës së re
8 hotele
Ky është numri i hoteleve të ndërtuara në Shkallë, pra në breg të detit në Borsh. Çmimi për 15 ditë në këto hotele shkon nga 40 në 45 mijë lekë
55 mije
Ky është çmimi më i lartë që ofrohet për 15 ditë në capak ambiente hotelesh në Borsh. Ambienti i ofruar përbëhet nga dy dhoma komode
25 mije
Kaq lekë mund të gjendet lart në fshat për 15 ditë një garsoniere, që përbën edhe çmimin më të ulët të ofruar në Borsh
35 mije
Ky është çmimi mesatar për 15 ditë të kaluara në një garsoniere që ka kushtet optimale, nisur nga mundësia e gatimit brenda
80 per qind
Kjo është e përafërt e prenotimeve për ambiente të ndryshme të bëra deri në dhjetëditëshin e parë të qershorit në Borsh