E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, bizneset që cenojnë sigurinë njerëzore

Realiteti i punës në kushte të mungesës ekstreme të sigurisë për jetën, i zbuluar pas ndodhjes së katastrofës së Gërdecit, ka qenë pikënisje për të parë se si mjaft prej bizneseve të Sarandës, shkojnë gjithashtu kundër jetës së njeriut. Nga bisedat e lira të këtyre ditëve, shqetësimi për këto biznese, që ngrihen si pikëpyetje mbi sigurinë njerëzore, ka provokuar "daljen nga tema" të mjaft prej diskutimeve të këshilltarëve bashkiakë, në mbledhjen ku ngjarjet e Gërdecit nuk mund të ishin një sfond apo një dekor dhimbjeje. Duke e menduar veten realisht si pjesë të "parlamentit lokal", disa prej këshilltarëve, ndoshta pa e përmendur fjalën Gërdec, i kanë dhënë nerv qytetar debatit për ato që janë bërë për së prapthi, madje disa herë me leje e miratim të atyre që mbajnë mandat në pushtetin vendor.

Duke i parë gjërat me një sy më të hapur prej katastrofave dhe me përgjegjësi ligjore dhe morale për jetët e njerëzve, në tryezën e debatit një varg shkeljesh skandaloze të veçuara nga e përditshmja jonë, kanë ardhur si denoncim dhe si nevojë për vetëkorrektim, që duhet të nisë nga administratorët e qytetit.

Jo pak biznese që në mënyrë të moderuar quhen të dëmshme, pasi realisht janë të rrezikshme, "lulëzojnë" duke funksionuar në katet e para të pallateve. E kjo është rrënja e së keqes. Çfarë janë këto biznese? Kryebashkiaku Gjoka rendit si të tilla ofiçina për riparim automjetesh, furra buke, pika për mbushjen e bombolave të gazit e shumë si këto, për të cilat askush nuk dyshon se janë tërësisht jashtë kushteve të sigurisë.

Edmond Gjoka thotë se përbën një absurd që e "zbulon" tani boshllëku ligjor, që duhet rreptësisht ta ndalojë instalimin e bizneseve të këtij lloji në mjedise të tilla. "Tregojmë se sa pak e duam veten tonë, kur kemi një ligj të mbrojtjes akustike dhe na mungojnë ligje që të përcaktojnë kritere për vendosjen e bizneseve", thotë kryebashkiaku i Sarandës.

Një tranzicion të hidhur. Kështu e ka cilësuar këtë që jemi duke kaluar, me të papritura dhe humbje të përsëritura jetësh njerëzore, drejtori i ujësjellësit Qesko Çakalli, "Kjo nxitet nga rendja për ti zgjidhur gjërat shpejt dhe me kosto të ulët"-shprehet ai, duke treguar se sa pak është kuptuar fillimisht, kur i është dashur të ngulmojë për të mos vazhduar puna në mungesë të masave të sigurimit teknik në ndërmarrjen që drejton. Por ai numëron sa e sa punë të tjera, që duke u ndërtuar mbrapsht, dëmtojnë "pa u vënë re". Si të tilla përmend djegien e pakontrolluar të mbeturinave urbane, dëmin që i sjell shëndetit të qytetarëve bashkëjetesa me repartet që lyejnë makinat, stampuesit e veshjeve apo ata që ngrenë pallate pesëkatësh mbi tubacionin kryesor të ujit. Të gjitha këto janë quajtur çmenduri në një qytet evropian si Saranda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›