E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, reforma largon nga puna 150 mësues

Drejtoria Arsimore zbaton urdhrin e ministrisë. Të prekurit kërcënojnë se do të hedhin shtetin në gjyq

Reforma në sistemin e administratës publike në vend ka prekur edhe Qarkun e Kukësit, përkatësisht sistemin e arsimit parauniversitar. Drejtoria Arsimore Rajonale e Kukësit ka njoftuar për një shkurtim të vendeve të punës, për një numër prej 150 arsimtarësh dhe punonjësish të tjerë të arsimit në tre rrethet Kukës, Tropojë dhe Has. Kështu, duke filluar nga dita e nesërme (e hënë) një numër mësuesish të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nuk do të rikthehen në vendin e tyre të punës. Sipas drejtorit të arsimit, Ylli Metalia, Ministria e Arsimit ka dërguar në bazë një shkresë, në të cilën thuhet se 150 mësues nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja, kryesisht ata që punojnë me kontratë dhe jo me vendim, duhet të largohen nga puna. Sipas drejtorit Metalia, kjo shkresë ka përcaktuar kategoritë e punonjësve të prekur që janë, përveç atyre me kontratë edhe mësuesit që ushtrojnë detyrën e nëndrejtorëve, si dhe ata që kanë një numër të vogël nxënësish. Vetëm për Rrethin e Kukësit do të shkurtohen vendet e punës për 50 mësues dhe punonjës të tjerë në sistem, kryesisht në shkollat e Bashkisë së Kukësit, por edhe në zonat rurale. Po të njëjtin numër kanë edhe rrethet Has dhe Tropojë. Këta të fundit do të administrohen nga zyrat arsimore të rretheve përkatëse, të cilat i kanë edhe kompetencat e duhura për të vënë gishtin mbi ata që duhen larguar nga puna. Drejtori i DAR Kukës, Ylli Metalia, thotë se për Kukësin janë bërë tashmë shkurtimet. “Pas një studimi, që ka nxjerrë në pah se ku duhet vënë dorë, tashmë i kemi kryer largimet nga puna për numrin më të madh të vendeve që shkurtohen”, tha ai, duke shtuar se ka qenë e nevojshme të nisë një “spastrim”, siç e cilësoi largimin nga puna të mësimdhënësve pa arsim të ngjashëm.
Menjëherë pas nisjes së reformës administrative, kanë reaguar mësuesit që humbin vendin e punës, të cilët e kanë parë këtë vendim si diskriminues. Një pjesë e mirë e tyre kanë kontrata të rinovuara për këtë vit shkollor dhe kjo gjë do të përbëjë një konflikt ligjor për ta. Pasi kanë mësuar për largimet nga puna, ende pa arritur urdhri te vendi i punës, punonjësit që largohen nga puna, kryesisht edukatore të kopshteve, sanitare etj., janë ankuar në drejtori në mënyrë verbale, duke bërë presion se çështjen do ta ndjekin në gjyq. “Kam punuar prej 9 vitesh dhe tani nuk është drejtë të lë punën, kjo është një padrejtësi që më bëhet, pasi unë kam marrë edhe kualifikime në punën time. Ndoshta do ta zgjidh me gjyq”, tha një edukatore kopshti nga fshatrat e zonës së qendrës. Një tjetër mësues, i cili deri tani ka punuar me kontrate, tha se kjo masë binte ndesh edhe me nevojat për mësues, në rastin e tij mësues matematike, pasi ai ishte inxhinier në profesion. Nga ana tjetër, kjo gjë krijon probleme sociale për një numër familjesh. “Si do të jetojmë tani pa punë? Do të duhej të na njoftonin më herët”, tha ai. Nga ana e vet, DAR Kukës, në një takim me drejtuesit e shkollave ka përcaktuar edhe orët e punës për çdo mësues, ku duket se shuma e orëve për sistemin 9-vjeçar do të tejkalojë normën e caktuar. Qarku i Kukësit ka gjithsej 108 shkolla, 57 në Kukës, 20 në Has dhe 31 në Tropojë me një numër prej 20 mijë nxënësish dhe rreth 1300 mësues. Prej dy dekadash, në një numër shkollash, kryesisht në zonat rurale, aplikimi i kontratave për mësimdhënës të lëndëve të ndryshme ka qenë një zgjidhje e detyruar, pasi në më shumë se 50 për qind të rasteve nuk ka qenë e mundur gjetja e mësuesve me arsimin përkatës. Por me ndryshimet e pagave dhe rrethanave të tjera, ky raport po shkon në favor të profesionalizmit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›