E Shtunë, 31 Tetor 2026

Media serbe: Strategjia e Thaçit për veriun mbështetet nga SHBA e BE

Ditët e fundit, në median serbe, po mbizotëron çështja e strategjisë për integrimin në kuadrin e institucioneve të Kosovës të pjesës së saj veriore, sidomos të Mitrovicës së Veriut, të paralajmëruar nga i dërguari i posaçëm i BE-së e shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, Piter Fejt, dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, por më shumë në të spekulohet nëse qëndron ose jo mbas kësaj strategjie faktori ndërkombëtar, më konkretisht BE-ja. Strategjia, e cila, pavarësisht nga deklaratat vetngushëlluese të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, se ajo nuk e ka mbështetjen e BE-së, në fakt e ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, që e pranon edhe vetë media serbe, përfshi agjencinë kryesore serbe të lajmeve, TANJUG, që vinte në dukje këto ditë se strategjia në fjalë e nënkupton mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, se ajo është në lidhje të drejtpërdrejtë me perspektivën europiane të Serbisë që kjo e fundit ta pakësojë mbështetjen për strukturat paralele në Veri të Kosovës. “Kjo parashikohet të bëhet mbi bazën e një zgjidhjeje që Beogradi ta ruajë ‘fytyrën’, por që ta pakësojë dhe, më në fund, ta ndërpresë mbështetjen e vetë për strukturat paralele në krahinë, krahas afrimit të njëkohshëm të Serbisë me BE-në. Mbi autoritetet e Beogradit, në të njëjtën mënyrë, po ushtrohet presion që t’i detyrojnë ato ta ndalojnë dekurajimin e serbëve në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhjet që organizon Prishtina”, thekson TANJUG-u, duke iu referuar dokumentit të lartpërmendur.
Faktin që planin strategjik për integrimin e pjesës veriore të Kosovës në institucionet e kësaj të fundit e mbështet faktori ndërkombëtar e nxjerr në pah edhe revista në gjuhën serbe, që del në pjesën veriore të Kosovës, “Gllas juga” (“Zëri i Jugut”). Duke iu referuar, sipas saj, një kopjeje të “Strategjisë për Veriun e Kosovës”, të cilën ajo thotë se e ka në dorë, kjo gazetë vë në dukje se fjala është për një dokument pune, të cilin e kanë hartuar ambasadorët e pesë vendeve perëndimore në Kosovë, të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Zyra Civile Ndërkombëtare e Piter Fejtit dhe EULEKS-i. Strategjia në fjalë, sipas kësaj reviste, vlerëson situatën në Veri të Kosovës dhe përcakton me saktësi veprimet, realizimi i të cilëve, me mjete politike dhe ekonomike, do të duhet të kontribuojë për integrimin e kësaj pjese të territorit të Kosovës, ku pushtetin lokal e mbajnë serbët dhe ku nuk njihen dhe nuk respektohen kompetencat e autoriteteve të larta kosovare. “Hap i parë dhe më i rëndësishmi në këtë plan është krijimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut, e cila, sikurse thuhet në këtë plan, duhet të funksionojë në kuadrin e institucioneve kosovare deri në mesin e këtij viti”, thekson revista e mësipërme, sipas së cilës “autorët e strategjisë konsiderojnë se, në këtë moment, për këtë ekziston një hapësirë e caktuar, të cilën e kanë krijuar forcat e moderuara të serbëve kosovarë, duke marrë pjesë në proceset politike kosovare”, nënvizon revista e mësipërme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›