Berisha: Gati për kompromis, por nuk do ti hapim kutitë
Kryeministri: Do të vazhdojmë dialogun
Kryeministri Sali Berisha ka korrigjuar qëndrimin politik të dhënë pas tryezës së Presidentit të Republikës, por nuk është tërhequr nga kundërshtimi i hapjes së kutive të kontenstuara publikisht dhe ligjërisht nga opozita, për të cilat ka vendim gjykate. Kreu i qeverisë, i cili është dhe kryetari i PD-së, ka lëshuar dje dy deklarata të ngjashme, por që korrigjonin qëndrimet e tij politike. Siç mësohet, gjithçka ka ardhur pas konsultimeve me ambasadorët që kanë ndihmuar për mbajtjen e tryezës. Në qëndrimin e dytë të dhënë më mbrëmjen e djeshme, që është publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, Berisha thekson se “koalicioni qeveritar i ofron zotit Rama dhe opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet për adresimin e vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre dhe mazhoranca do t’i votojë ato. Sikundër jemi të gatshëm të ngremë komisionin hetimor parlamentar që në seancën e ardhshme, ku opozita të ketë shumicën në të gjitha votimet në këtë komision, përmes tërheqjes së dy anëtarëve tanë nga kuorumi i tij”. Duke vazhduar më tej, Kryeministri thekson se “unë garantova Presidentin e Republikës dhe zotin Edi Rama se ne jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme, për të gjitha çështjet zgjedhore, bilaterale, pra mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në këtë kontekst, unë i propozova zotit Rama të listojë të gjitha çështjet dhe problemet që ekzistojnë mes mazhorancës dhe opozitës, mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe ne do t’i trajtojmë ato në mënyrën më serioze dhe më konstruktive”. Por kjo është vetëm pjesa e pranimit, më pas Kryeministri thekson hapur kundërshtimin e tij për çështjen e hapjes së kutive të Tiranës, Beratit dhe të Shkodrës, të cilat janë kontestuar nga Partia Socialiste. Megjithëse këtë herë Kryeministri nuk e thotë publikisht se është kundër hapjes së kutive, ai deklaron se “unë nuk mund t’i trajtoj problemet zgjedhore që PS ka me Gjykatën e Apelit, sikundër unë nuk kërkoj trajtimin nga ne të dy të problemeve zgjedhore që Partia Demokratike ka me Gjykatën e Apelit”.
#