E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, rritet numri i të pastrehëve

Bankat refuzojnë kërkesat për kredi të buta, nuk kanë të ardhura mujore të mjaftueshme

Prej dy dekadash, strehimi përbën një problem serioz për qindra familje në qytetin e Kukësit. Burime të bashkisë tregojnë se lista e familjeve të pastreha është rritur ndjeshëm dhe se gjatë viteve të fundit shumë prej tyre kanë mbajtur shpresë për ndihmë. “Në listën tonë të ripërtërirë disa herë është pak a shumë i njëjti numër i tre viteve më parë, ndërsa e krahasuar me vitet ‘90 është rritur tre herë”, tha një nëpunës i zyrës së shërbimeve në bashki. Ai shtoi se gjatë dy viteve të fundit ishte diskutuar gjatë për ndihmë për të pastrehët, ndonëse konsistonte thjesht në ndërmjetësimin për një kredi afatgjatë me kushte lehtësuese. Në vitin 2009 përfituan vetëm 15 familje, të cilat ndodheshin në gjendje të vështirë të strehimit, me shumë anëtarë të familjes e kështu me radhë. Edhe para pak muajsh një numër familjesh të pastreha u përfshinë në një listë për trajtimin me kredi të butë për blerje banese. Por shumica e tyre e shohin veten jashtë çdo kornize përfitimi, pasi nuk përmbushin kriteret që kanë vënë bankat, edhe pse shteti hyn ndërmjetës.

Aplikuesit thonë se kriteret e vëna janë të papërballueshme prej tyre. Kështu u kërkohet që çdo familje aplikuese të ketë të ardhura mujore jo më pak se 8 mijë lekë për çdo të rritur. Shkalla e lartë e papunësisë dhe niveli i ulët ekonomik nuk lejojnë që të përfshihen në këtë projekt, i cili do të realizonte ëndrrën për të pasur një shtëpi. “Jemi shtatë persona në familje dhe prej vitesh jetoj në një shtëpi me qira. Pas shumë stërmundimesh arrita të përfshihem në listën e të pastrehëve që do të trajtoheshin me kredi për blerjen e shtëpisë. Mirëpo, kur shkova te banka që më rekomanduan, më informuan për kushtet e vëna dhe menjëherë e kuptova që i gjithë mundi më shkoi dëm”, tregon një kryefamiljar me origjinë nga Kukësi i vjetër. Ai sqaroi se prej katër vitesh ishte i papunë dhe nuk kishte asnjë pronë dhe gjendja ekonomike ishte shumë e varfër. Ndërkaq një grua kryefamiljare, e mbetur me katër fëmijë jetimë, pasi burri i kishte vdekur në një aksident automobilistik, tregon se që të katër fëmijët i kishte në shkollë dhe jetonte vetëm me pensionin e burrit. “Nuk i plotësoj kushtet që janë vendosur, shteti do na lerë përsëri rrugëve. Nuk e ka seriozisht kur thotë se po ju ndihmoj”, thotë gruaja.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›