Tony Esposito, xhaz dhe rok në opera
Tony Esposito, muzikanti dhe kantautori i njohur italian, i vlerësuar edhe si një ndër bateristët më të mëdhenj të vendit të tij, do të jetë në Tiranë në datën 15 prill, për të interpretuar në një koncert që do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Esposito do të ngjitet në skenë bashkë me grupin e tij “La Banda del Sole”, në kuadër të veprimtarive të stinës së madhe të aktiviteteve “Italia dhe Shqipëria 2010: “Dy popuj, një det, një miqësi”. Esposito është një muzikant i muzikës xhaz dhe rok, i cili ka ditur të harmonizojnë kulturën e tij mesdhetare me atë afrikane. Me aktivitetin e tij, Esposito i ka çuar instrumentet e tij të preferuar të baterisë në nivele të larta muzikore dhe sot konsiderohet si pikë referimi për ata muzikantë që luajnë ose duan t’i afrohen studimit të këtyre instrumenteve, duke shpikur instrumente të veçantë si Tamborder, tingulli i të cilit ka kontribuar në mënyrë thelbësore në suksesin e madh të këngës famshme “Kalimba de Luna”.
#