Shpërthen bombola e gazit, i moshuari digjet në banesë
Një i moshuar është shkrumbuar nga flakët e zjarrit brenda shtëpisë së tij. Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 13:30 në lagjen “Perlat Rexhepi” kur viktima çezar Celi, 79 vjeç është gjetur nga fqinjët i përfshirë nga flakët e zjarrit. Mësohet se i moshuari ka qenë vetëm kur ka rënë zjarri, ndërkohë që nuk ka mundur të dalë jashtë banesës. Teksa përpiqej të shuante flakët, ai është asfiksuar nga tymi dhe më pas është përfshirë nga zjarri. Me gjithë ndërhyrjen e fqinjëve, gjithçka ka qenë e kotë. Zjarrfikëset janë nisur me shpejtësi sapo janë sinjalizuar për ngjarjen, por kanë qëndruar rreth 200 metra larg banesës, pasi e kanë pasur të pamundur të kalojnë nëpër rrugicën e ngushtë të lagjes. Ky është rasti i dytë brenda dy vitesh, ku në këtë rrugicë persona të moshuar kanë humbur jetën pasi janë djegur brenda banesës, për faktin se rruga e ngushtë e kësaj lagjeje e bën të pamundur futjen në kohë të zjarrfikëseve. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka arritur në përfundimin se shkak i ngjarjes është bërë shpërthimi i një bombole gazi, e cila ka provokuar dhe përhapjen e flakëve në banesë.
#