E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, së shpejti një pikë vrojtimi për zogjtë shtegtarë

KUKËS- Në kënetën e Kashtës, rreth 4 kilometra larg qytetit të Kukësit, fare pranë liqenit të Fierzës, do të ngrihet së shpejti një pikë vrojtimi për zogjtë shtegtarë.

Ngritja e kësaj pike të vrojtimit do të mundësohet nga Organizata Botërore e Shpendëve Shtegtarë, GTZ-së dhe Shoqata e Mbrojtjes së Peshkut, në rrethin e Kukësit. Kjo pikë vrojtimi do të jetë në funksion të evidentimit të vlerave shkencore, biologjike, ekologjike dhe edukuese që ka ky monument natyror.

Arben Palushi, kryetari i shoqatës për mbrojtjen e peshkut, në rrethin e Kukësit, thekson se "kjo pikë vrojtimi do të shërbejë për mbrojtjen e rrugës shtetgtare dhe vetë zogjve, sepse bëhet fjalë për një fenomen natyror të jashtëzakonshëm, unik edhe në Ballkan, i cili mbrohet nga shteti, me një status të veçantë".

Ngritja e kësaj pike të vrojtimit, që është orientuese për zogjtë shtegtarë, është unike në zonën verilindore. Pika të tilla orientuese ndodhen edhe në liqenin e Ohrit dhe në Karavasta.

Këneta është një vend i rëndësishëm për grumbullimin e zogjve shtegtarë, të cilët si banorë të këtij mjedisi përmbajnë vlera të mëdha që duhen mbrojtur nga dëmtimi. Numri i tyre në mjediset e kësaj kënete arrin në mbi 12 lloje, por nga gjuetia e paligjshme disa prej tyre thuajse janë zhdukur.

Mbrojtja nga zhdukja e zogjve shtegtarë gjithnjë e më tepër është vënë në qendër të vwmendjes të shoqatave të mbrojtjes së shpendëve. “Kryesore është parandalimi i gjuetisë pa kriter, e cila po çon drejt zhdukjes shumë prej zogjve shtegtarë”, thotë specialisti i mjedisit në rrethin e Kukësit, Besnik Hallaci.

Po ashtu, me pasoja është edhe dëmtimi i vendndodhjeve kyçe të tyre përgjatë rrugëve të shtegtimit, që u mundëson zogjve shtegtarë fluturimin në distancë mjaft të largëta, deri me mijëra kilometra.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›