E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, shembje në minierën e Kalimashit, nxirren dy viktimat

KUKËS- Shembet një pjesë e minierës së Kalimashit në Kukës dhe zë brenda dy persona, të cilët kishin shkuar në minierë për të nxjerrë krom. Plagoset një person i tretë që ishte me ta.Banorë të zonës kanë konfirmuar të parët lajmin për News 24, i përforëcuar ky edhe nga Kreu i Konfederatës së miniatorëve Kol Nikollaj, i cili shtoi se shembja ndodhi në një minierë të braktisur.

Ndërkohë që policia e mbërritur në vendngjarje ka konfirmuar se brenda minierës kanë gjetur vdekjen shtetasit Xhezair Sulmata 33-vjec, dhe Besim Halili 55-vjeç.

Korrespondentja e Kukësit Matilda Dokle deklaron se viktimat ishin duke punuar privatisht për nxjerrjen e kromit, por shembja e një masivi gurësh e dherash i ka zënë ata brenda, duke u marrë edhe jetën. Për të plagosurin, emri i të cilit është Albert Sulmata 23 vjec mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa ka humbur njërën këmbë në minierë. Ky i fundit është kushëri me viktimën Xhezair Sulmata.

Trupat e pajetë të punëtorëve janë nxjerrë nga miniera vetëm në mesnatë për shkak të vështirësisë së punës në nëntokë, raportoi policia lokale.

Vendburimi i Kalimashit është marrë me koncesion nga kompania “IMI”, kompani kinezo-turke, ashtu si dhe vendburimi i Vllahnës në rrethin e Hasit. Por deri tani ende nuk ka nisur punën për shkak të konflikteve që ka me komunitetin, konflikte që kanë çuar në ndonjë rast edhe ndërhyrjen e forcave të policisë e shoqërimin në polici të aturoëve të grindjes. Kjo ka sjellë që vetë banorët e fshatit të Kalimashit të vazhdojnë grumbullimin e mineralit pa përfilluar as rregullat minimale të sigurimit në punë, ndonëse punohet në nëntokë.

Një dukuri e tillë ndodh prej më shumë se 15 vjetësh kur ky rajon krommbajtës po shfrytëzohet nga firma të licencuara e të palicencuara të kromit, gjë që ka sjellë edhe shumë aksidente, deri në humbjen e jetës. Vetëm gjatë këtij viti në këtë vendburim kanë humbur jetën 4 persona.

(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›