E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët e Bulqizës protestojnë sërish para zyrave të ACR-së

Minatorët e Bulqizës kanë vijuar edhe sot protestat para zyrave të ACR-së ndërkohë që pritet mbledhja e komisionit të grevës për të vendosur në lidhje me grevën e urisë.
 

Ata nuk kanë marrë në konsideratë njoftimin e ACR-së që minatorët duhet të riktheheshin në vendet e tyre të punës duke protestuar sërish për plotësimin e kërkesave të tyre.
 

Ndërkohë mësohet se forcat e policisë po mbajnë ende të bllokuar hyrjen e pusit nr.1 për të penguar hyrjen e minatorëve në këtë galeri.
 

Ndërkohë që ende nuk ka nënshkrim dhe kompromis për marrëveshjen mes tyre dhe firmës koncensionare “ACR”, minatorët deklarojnë se nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre.
 

Edhe pse kompania “ACR” ka deklaruar se ka plotësuar kërkesat e minatorëve duke filluar nga rritja e pagës me 20 përqind dhe deri tek investimet në minierë, minatorët janë shprehur të pakënaqur.
 

Ata kanë kërkuar gjithashtu që t`u paguhen edhe ditët e grevës si dhe të largohet edhe drejtori i minierës Medat Zogu, kërkesë kjo që nuk është pranuar nga ACR-ja.
 

Ndërkohë pritet që më vonë gjatë ditës komisioni i grevës të vendosë për rinisjen ose jo të grevës së urisë të paralajmëruar më parë nga minatorët.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›