Kukësi, Kolegji Zgjedhor pranon shqyrtimin e provave të LSI-së
LSI kërkon hapjen e kutive, pretendon një mandat
Kolegji Zgjedhor ka shqyrtuar dje për rreth 5 orë kërkesën ankimore të LSI për Qarkun e Kukësit dhe ka vendosur të pranojë provat e vëna në dispozicion nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila pretendon se i është mohuar një mandat në këtë qark.
Pranimi i provave
Pas shqyrtimit të ankesës Kolegji Zgjedhor ka pranuar pamjet filmike të cilat tregojnë mospërputhjet e votave. LSI pretendon se ka prova që nxjerrin në pah numërimin e gabuar të votave në kutitë e qarkut Kukës, ndërsa asaj i duhet vetëm 15 vota për të marrë një mandate në këtë qark. Nga ana tjetër LSI pretendon se ka 155 vota më shumë në Qarkun e Kukësit. Kështu, Kolegji Zgjedhor ka vendosur se do të kryhet një akt ekspertimi për pamjet filmike të vëna në dispozicion nga LSI. Pritet që akt ekspertimi të kryhet nga ekspertë të LSI dhe PD. LSI ka propozuar emrin e Ardian Pollos, ndërsa PD atë të Zamir Hoxhës. Këta të fundit janë ekspertë të teknologjisë së informacionit dhe pasi janë betuar për paanshmëri dhe profesionalizëm kanë marrë edhe pamjet filmike të depozituara pranë gjykatës nga KQZ. Kolegji i ka dhënë dy ditë kohë për të ekspertuar pamjet filmike dhe për të vërtetuar nëse janë apo jo të drejta pretendimet e LSI.
Muho: Kukësi po zgjidhet
Përfaqësuesi ligjor i LSI-së Ilirjan Muho ka komentuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor për kërkesën ankimore të LSI-së lidhur me qarkun e Kukësit. Vendimin e ndërmjetëm që dha Kolegji, që ishte pranimi i provave të LSI dhe nisja e një akt ekspertimi për to, për Muhon do të thotë se kjo çështje ka filluar të zgjidhet. Kolegji ngarkoi me detyrë dy ekspertë që duhet ti përgjigjen disa pyetjeve me qëllim për të zbardhur materialin filmik të propozuar nga ne si provë. Ka filluar të zgjidhet cështja, duke marrë provat në dorëzim, tha ai. Muho u shpreh se LSI pretendon që provat të vërtetohen dhe në bazë të një procesi rinumërimi LSI-së ti kthehet mandati që ata pretendojnë.