E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali me kompanitë ajrore, anulojnë biletat e kthimit për ti rishitur

Alitalia dhe Airone anulojnë fluturimet e kthimit në Tiranë pa njoftuar udhëtarët

alitalia-aironeAnulimet e fluturimeve nga kompanitë ajrore janë kthyer në modë kohët e fundit, duke u shkaktuar udhëtarëve jo vetëm dëm ekonomik por edhe moral. E fundit, por jo e vetmja kompani ajrore që ka anuluar fluturimet e kthimit pa komunikuar më parë me udhëtarët është Alitalia, nëpërmjet operatorit të saj në Tiranë, Air One.
Skandali
Vetëm këtë fundjavë, kjo kompani ajrore ka lënë në aeroportin e Milanos qindra udhëtarë të cilët nuk kanë mundur të kthehen nga Italia në Shqipëri, edhe pse bileta ishte prerë vajtje-ardhje. Për faj të krizës, defekteve apo të çfarëdolloj arsye tjetër, aeroportet shqiptare dhe ato italiane, po kthehen në një makth të vërtetë për shumë udhëtarë shqiptarë. Udhëtimi me këto linja nuk të jep aspak siguri, duke të rrezikuar humbjen e vendit të punës apo emergjenca të tjera për të cilat duhet të respektosh patjetër orarin.
Raste vonesash
Pavarësisht ankesave të pasagjerëve; vonesat e pafundme, oraret e nisjes që shtyhen dhe fluturime që anulohen pa lajmëruar udhëtarët po kthehen në normalitet për disa linja ajrore. Mos u çuditni nëse pasi të keni udhëtuar nga Tirana, dhe të jeni nisur si zotërinj nga aeroporti Nënë Tereza, bileta juaj e kthimit të anulohet automatikisht, dhe ju kësisoj të gjendeni, ndoshta me një fëmijë të mitur në krahë, totalisht të papërgatitur dhe i kapur nga paniku. E pabesueshme zonjë, iu drejtova punonjëses tek banaku i linjës Airone, (operatori i fluturimit të Alitalia-s), shikoni këtu biletën e ardhjes, shikoni këtu edhe boarding pass të fluturimit nga Tirana në Milano. Si është e mundur që të mos rezultoi se kam fluturuar me ju në ardhje dhe si pasojë të më anuloni biletën e kthimit pa më lajmëruar? Dhe me një ton të athët, punonjësja e linjës së fluturimeve, ngriti sytë dhe filloi të shpjegonte, pa parë në sy, se fajin e ka agjencia e fluturimeve. Më tej, pas insistimit për shpjegime, tha se fajin e kishte aeroporti në Tiranë por kurrë nuk pranoi se fajin e ka vetë kompania e fluturimeve, kështu rrëfehet për Tirana Observer një nga pasagjerët që është ndodhur në këtë situatë këto ditë, ndërsa udhëtoi për në Itali me kompaninë Alitalia.
Përgjegjësia
Pavarësisht fajit, në të tilla raste pasagjeri ka të gjitha të drejtat ligjore, edhe në bazë të rregulloreve të aeroporteve apo të kompanisë ajrore, që të marrë shpjegimin apo dëmshpërblimin e merituar në rast vonesash apo anulimesh të fluturimeve. Por rasti i rrëfyer më sipër nga një qytetar që erdhi në redaksinë tonë, flet qartë për një papërgjegjshmëri dhe arrogancë nga ana e kompanisë Alitalia dhe operatorit të saj në Tiranë Airone.
Rishitja e biletave
E parë nga një tjetër këndvështrim, duket se kjo është vetëm një ndër mënyrat e reja që përdorin kompanitë e fluturimit për të përfituar në mënyrë abuzive. Duke anuluar biletën, këto kompani e rishesin vendin sidomos gjatë sezonit të verës ku lëvizja e udhëtarëve shpeshtohet dhe kërkesa për vende është shumë herë më e madhe. Kjo praktikë e njohur quhet overbooking dhe tashmë po përdoret në mënyrë të gjerë nga operatori i Alitalia-s, Air One.
Apeli
Duke vënë re ankesat dhe anomalitë  e shumta të këtij sezoni turistik, këshillojmë udhëtarët të verifikojnë fluturimet e tyre me agjencitë e udhëtimeve në mënyrë që të evitojnë surpriza të pakëndshme të çasteve të fundit. Tirana Observer (duke marrë shkas nga rasti i rrëfyer më sipër) do tju vijë në ndihmë dhe do të publikojë të gjitha ankesat tuaja me shpresën se do të arrihet një sensibilizim i publikut të gjerë, por mbi të gjitha sensibilizimi i vetë kompanive, edhe ndërhyrja e autoriteteve përkatëse për të marrë masat dhe sanksionet përkatëse. Mos hezitoni të na shkruani tek e-maili i redaksisë sonë: tiranaobserver@gmail.com për të denoncuar problemet tuaja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›