Shpërthen Olldashi: Basha kryetar nëpërmjet një procesi të deformuar
Olldashi refuzon të flasë nga selia e PD: Pati ndërhyrje në proces
Sokol Olldashi duke lënë mënjanë diplomacinë e ditëve të fushatës, ka lëshuar një sulm frontal ndaj drejtuesve të Partisë Demokratike. Vetëm pak minuta pasi Lulzim Basha mbajti fjalimin e fitores nga selia e PD, Olldashi nga zyrat e ministrisë së Transporteve e ka quajtur garën në PD si tërësisht të deformuar.
Akuzat
Përzgjedhja e kryetarit te ri të PD-së, u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar. Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve, theksoi që në fillim të deklaratës Sokol Olldashi. Sipas tij, dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD, tha ai me ironi. Duke mos u ndalur me kaq, Olldashi e shtoi dozën e akuzave duke theksuar se procesi, për të cilin mu dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, – gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je -, u përjashtua siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korçë apo u pushua nga puna, – siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë. Në deklaratën e tij Olldashi vuri në dukje se intimidimi u kurorëzua me fletën e numërizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjetër, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm. Kjo ishte një energji e tepërt e harxhuar brenda nesh që do duhej në fakt ta kishim shpenzuar më 23 qershor dhe jo më 22 korrik.
Nuk largohen nga PD
Në fund të deklaratës së tij Olldashi ka vënë në dukje se ai nuk do të largohet nga Partia Demokratike. Ai ftoi të gjithë demokratët që nuk janë ndjerë mirë me këtë proces, të kuptojnë se Partia Demokratike është një shtëpi e madhe, e ndërtuar me kontributin vullnetar të secilit prej nesh dhe, në një shtëpi të madhe, qëllon që edhe prishen rregullat apo humori. Por, pavarësisht momenteve të tilla, ne mbetemi anëtarë të së njëjtës familje, edhe pas ndonjë nervozizmi apo pezmi. Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë, tha ai. Në fund Olldashi nënvizoi se unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike, në misionin e tyre opozitar për tu dhënë qytetarëve shqiptarë një kartë morale opozitare, një veprim politik opozitar dhe një platformë të qëndrueshme mbi të cilën të mblidhet shumica e shoqërisë së këtij vendi.
Asnjë reagim nga PD për akuzat e Olldashit
Pas akuzave të forta nga ana e Sokol Olldashit nga selia blu nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar. Ndërsa mbështetësit e Olldashit nga frika e ndonjë reprezalje në struktura nuk kanë bërë asnjë deklaratë