Kukësi, Kolegji Zgjedhor shtyn për nesër shqyrtimin e kërkesës së LSI-së
Tiranë- Kolegji Zgjedhor ka vendosur shtyrjen për ditën e premte të shqyrtimit të ankimimit të LSI-së për hapjen e 15 QV në qarkun e Kukësit.
Kolegji Zgjedhore e shtyu kërkesën për tu njohur me materialin ankimor dhe është përcaktuar që ai të mblidhet nesër në orën 16:00.
Dy ekspertët Ardian Pollo (LSI) dhe Zamir Hoxha (PD) dorëzuan aktet e ekspertimit në sekretarinë e Kolegjit që më pas ato tu vihen në dispozicion palëve.
Bëhet fjalë për një ekspertim të kryer në pamjet filmike gjatë procesit në numërimit të votave në 15 kuti. Provat, materialet filmike, u administruan nga Kolegji Zgjedhor dhe po shqyrtohen, ndërsa nesër pritet të dalë vendimi pasi të njihen me aktet e ekspertimit.
Lëvizja Socialiste për Integrim pretendon se ka prova që tregojnë numërimin e gabuar të votave në kutitë e qarkut Kukës. Asaj i duhen vetëm 15 vota për të marrë një mandat në këtë qark.
Ndërsa sot Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë kërkesën e bërë nga Dritan Prifti që pretendon se ka pasur pasaktësi në numërimin e votave dhe ndaj nuk marrë mandat deputeti. Prifti kërkon rinumërim dhe vlerësim të votave në Qarkun e Fierit.