Kukësi i falet serbit Jevdeviç, shkon -3 në Gjirokastër
Në fushën e Laçit kuksianët kanë mposhtur sarandiotët me rezultat minimal. Fitorja i mban të karikuar për sfidën e së mërkurës me Luftëtarin
Kukësi Butrinti 1-0
Shënues: Jevdeviç 50
Kukësi: Koçi, Rexhepi, Berberi (Memishaj 86`), Pashaj, Premçi, Jevdeviç, Lena (Kola 61), Allamani, Thana, Malo, Hamzaj (Xhetani 71). Trajner: Sh.Berberi.
Butrinti: Demi, Xhibro, Xhuvani, Alzeneli (Ngjela 74), Rapa, Mullaj, Muçaj, Muço, Nela (Kola 60), Papa, Haxhia (Rugji 62).
Trajner: M.Gurma.
Gjyqtarë: A.Koçi, F.Elezi, F.Lame (Durrës)
Kartonë të verdhë: Xhetani, Xhuvani
Kukësi dhe Butrinti janë ndeshur dje në fushën e Laçit, pasi një ditë më parë ishte e pamundur të luanin në Zeqir Ymeri. Ky 90-minutësh është vendosur nga një gol i serbit Jevdeviç 5 minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Është një fitore minimale, por shumë e rëndësishme për veriorët, për vetë faktin se ata shkojnë me -3 pikë dhe me moral të lartë në Gjirokastër, ku të mërkurën do të luajnë ndeshje e prapambetur me Luftëtarin kryesues. Ndeshja është shoqëruar gjatë gjithë kohës nga shiu, por loja ka qenë e një niveli të kënaqshëm.
Të dyja skuadrat e nisin lojën me shumë kujdes, duke studiuar njëra-tjetrën. Mungojnë rastet e rrezikshme, edhe pse Kukësi mundohet ta godasë portën e Butrintit. Veriorët kanë iniciativën, por miqtë nga Saranda mbrohen mirë. Jevdeviç provon i pari me një goditje nga distanca, që për pak sa nuk befason portierin Demi. Me kalimin e minutave Kukësi e zhvendos lojën në gjysmëfushën mike, por nuk arrin të gjejë hapësira në mbrojtjen sarandiote.
Butrinti përpiqet të rrezikojë me ndonjë kundërsulm sporadik, por ia arrin qëllimit ta rrezikojë portën e Koçit. Kaq për pjesën e parë, ndërkohë që e dyta nis mirë për Kukësin. Pas 5 minutash serbi Millosh Jevdeviç gjuan fort me të majtën dhe topi përfundon në rrjetë. 1-0 dhe kuksianët janë më të qetë në fushë. Në vazhdim ata do të kenë edhe disa raste, por në asnjërin prej tyre nuk do të arrijnë ta dyfishojnë rezultatin.
Gjatë minutave të fundit sarandiotët janë përpjekur më shumë për të barazuar, por mbrojtja e Kukësit, me Premçin në krye, i ka thyer sulmet e tyre. Rastin më të mirë e ka pasur Ngjela, i cili nuk ka munduar ta dërgojë topin në rrjetë. Edhe 4 minutat shtesë nuk sjellin ndryshim rezultati dhe kështu Kukësi e fiton ndeshjen e parë të fazës së dytë. E gjithë vëmendja tashmë kthehet te ndeshja me Luftëtarin, ku pritet që kuksianët të hapin maksimumin, pasi pretendojnë edhe titullin kampion të kategorisë së parë.
Trajnerët
Shahin Berberi, trajner i Kukësit: Jam i kënaqur për fitoren, edhe pse luajtëm një ndeshje me dy fytyra. Luajtëm më mirë gjatë pjesën së dytë dhe arritëm të shënonim golin e fitores. Kemi marrë 3 pikë të rëndësishme ndaj një ekipi të fortë. Mund të them se shtyrja e ndeshjes për një ditë ndikoi në psikologjinë e lojtarëve. Ndoshta ata e nënvlerësuan Butrintin, ndaj dhe nuk dolëm në lojën tonë pjesën e pare. Gjithsesi, e rëndësishme është që fituam dhe tani mendjen e kemi te ndeshja me Luftëtarin.
Milto Gurma, trajner i Butrintit: Në radhë të parë dua të falënderoj drejtuesit e Laçit, të cilët na krijuan mundësinë për të luajtur në këtë terren të shkëlqyer, pavarësisht reshjeve të shiut. Për ndeshjen do të thosha se luajtëm mirë, duke ditur edhe pretendimet e kundërshtarit. Butrinti synon ta përfundojë kampionatin në mesin e tabelës dhe mendoj se do ta arrijmë këtë objektiv. Përgatitjet i kemi bërë në Sarandë dhe nuk kemi zhvilluar asnjë ndeshje miqësore, kështu që repartet nuk janë harmonizuar me njëri-tjetrin.
