Munishi, ndihmëstrajner i Trepçës ‘89

Në fakt ‘Xehetarët’ e kanë angazhuar në rolin e ndihmëstrajnerit, ish-futbollistin e njohur kosovar, Ismet Munishi. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Trepçës ’89, Ilir Bojku. “Ismetin e kemi emëruar ndihmëstrajner. Ai i ka dyert e hapura në klubin tonë dhe do të qëndrojë këtu sa të dëshirojë vetë”, u shpreh Bojku.
Munishi, i cili njëkohësisht e luan edhe rolin e menaxherit, do të bashkëpunojë me trajnerin Rafet Prekazi, me të cilin do të mundohet ta ndihmojë ekipin mitrovicas që të shpallet kampion i Kosovës, për herë të parë në futbollin e pasluftës.
Ndërkohë, ai e ka nisur punën me Trepçën ’89 të dielën, në një ndeshje miqësore, ku mitrovicasit e mposhtën ekipin e Rrogozhinës me rezultat 3:1, në kuadër të përgatitjeve që po i zhvillojnë në Shqipëri.