Barazimi nuk e ul optimizmin te Lushnja
Pavarësisht se nuk mundën të fitonin në Mamurras, lushnjarët luajtën një ndeshje pozitive dhe tani janë përqendruar te Vlora
Lushnja nuk mundi ta niste me fitore fazën e dytë. Verdhejeshilët barazuan pa gola në fushën e Mamurrasit, ku ka luftuar shumë, por nuk ka arritur të shënojë. Edhe pse terreni ka qenë mjaft i rënduar, skuadra e trajnerit Malko ka bërë një pjesë të parë shumë të mirë, duke krijuar disa raste shënimi, që nuk u shfrytëzuan. Një traversë e lushnjarëve dhe një roveshiatë spektakolare e Sefës kanë qenë momentet më të bukura, por edhe portieri i Mamurrasit ka reaguar në mënyrë spektakolare.
Portieri Bejte nuk u vu asnjëherë në provë nga ana e vendësve, të cilët gjuajtën vetëm dy herë shumë dobët. Futbollistët e Lushnjës treguan se janë të përgatitur mirë fizikisht, duke e përballuar edhe fushën me baltë të Mamurrasit. Nëse do të ishin pak më të kujdesshëm në fazën finalizuese të aksioneve, do të ishin kthyer me pikë të plota nga transferta e parë e 2012-ës.
Mbrojtja, me Xhafën dhe Bufasin në qendër dhe Hasallën e Ruçon nga krahët, ishte e pakalueshme nga sulmi kundërshtar, por edhe mesfusha ishte në lartësinë e duhur. Byzhyti, Topi, R.Sula dhe Çela i dhanë tonin lojës, sidomos gjatë pjesës së parë. Sulmuesit Canka dhe Sefa kanë punuar mirë në atë fushë të vështirë, pavarësisht se nuk kanë mundur të shënojnë.
Ajo ndeshje ndoshta mund të ishte zgjidhur nëpërmjet goditjeve standarde, megjithatë tani gjithçka ka kaluar dhe duhet menduar për sidën e radhës, sepse lushnjarët mbeten në vallen e superligës. Ndeshja e parë ishte pozitive, megjithëse u humbën dy pikë. Futbollistët kanë pushuar dje dhe sot nisin përgatitjet për ndeshjen me Vlorën në stadiumin Roza Haxhiu, ku nuk duhet diskutuar fitorja.
